Zgjedhjet në Gjermani, ekstremi i djathtë fitore historike
Prej tvteuta13:04, 2 Shtator 2024
Në vitet e fundit, ka pasur shumë suksese zgjedhore të populistëve të ekstremit të djathtë në Evropë, me disa parti që jo shumë kohë më parë nuk pëlqeheshin nga votuesit, e të cilat dolën të parat në zgjedhje në shumë shtete, duke hyrë në Qeveri, e madje duke udhëhequr vendin.
Por, pyetja është nëse suksesi i Alternativës për Gjermani (AfD, Alternative für Deutschland) të dielën nuk ishte më simboliku nga të gjithë. Për herë të parë në historinë e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, një parti populiste e ekstremit të djathtë doli e para në zgjedhjet e një shteti. Dhe kjo ndodhi më 1 shtator, në ditën kur 85 vjet më parë Gjermania Naziste kishte pushtuar Poloninë dhe nisi luftën botërore, që shkaktoi pasoja të mëdha gjenocidale.
Në të vërtetë, fitorja e AfD-së në shtetin lindor gjerman të Turingias ishte krejtësisht e pritshme. Kjo parti ishte para në sondazhet parazgjedhore dhe fitoi 32.8 për qind të votave, pothuajse dhjetë pikë të përqindjes më shumë sesa partia në pushtet, CDU e qendrës së djathtë. Me 73 për qind dalje në zgjedhje – dalja më e madhe në tri dekada – rezultati i zgjedhjeve nuk mund të shpjegohet si mungesë e interesit të përgjithshëm. Me shumë gjasa, AfD-ja nuk do të qeverisë në këtë shtet, pavarësisht se fitoi, pasi të gjitha partitë e tjera politike janë zotuar se do të shmangin një aleancë me të. Por, fitorja e një numri të madh të votave nga AfD-ja do ta bëjë të vështirë formimin e një koalicioni, dhe kjo parti tani mund të bllokojë emërimet në gjyqësor dhe të bëjë ndryshime të Kushtetutës.
Suksesi i AfD-së do të ishte edhe më i madh nëse kjo parti do të dilte e para në zgjedhjet në shtetin fqinj të Saksonisë, që mbajti zgjedhje po të njëjtën ditë. Në këtë shtet, CDU-ja doli para AfD-së me 1.3 pikë të përqindjes (31.9 për qind të votave, përkatësisht 30.6 për qind). Por, AfD-ja në zgjedhje u rrit me 3 pikë të përqindjes krahasuar me zgjedhjet e vitit 2019. Rezultati i së dielës ishte më i keqi i CDU-së në shtetin që e ka dominuar politikisht që kur Gjermania u ribashkua 34 vjet më parë. Vrulli qartazi është në anën e ekstremit të djathtë.