Aktuale Më shumë

“Zbatimi i programit Evropa Sot 2 fillon pa probleme të rëndësishme në Mal të Zi”

Prej tvteuta10:43, 5 Nëntor 2024

Zbatimi i programit Evropë Sot 2 ka filluar pa probleme të rëndësishme, sipas përfaqësuesëve të Bashkimit të Punëdhënësve dhe Bashkimit të Sindikatave të Lira të Malit të Zi. Në programin e mëngjesit të TVMZ, ata theksuan se megjithëse ecuria është pozitive, është ende herët për të nxjerrë përfundime të plota për efektet e programit, pasi shumë punonjës ende nuk e kanë marrë pagën për muajin tetor.

Ivana Mihajlloviq, përfaqësuese e Unionit të Sindikatave të Lira , nënvizoi se sindikata po përballet me një fluks të lartë kërkesash nga punonjësit që dëshirojnë të verifikojnë nëse llogaritja e pagave të tyre është e saktë. Disa prej tyre kanë shprehur dilema në lidhje me të drejtat e tyre, sidomos ata që kanë qenë në pushime mjekësore. Mihajlloviq shtoi se ka gjithashtu shumë pyetje që lidhen me zbatimin e marrëveshjeve kolektive, veçanërisht në lidhje me pagesat e përcaktuara në këto marrëveshje.

Megjithatë, ajo shprehu optimizëm për zbatimin e programit Evropë Sot 2, duke shpresuar se punëdhënësit do t’i përmbushin obligimet e tyre.
“Punëdhënësit e kanë mbështetur këtë program dhe deri tani nuk ka pasur shqetësime”, tha Mihajlloviq. Sipas saj, punonjësit që kanë përfituar nga paga minimale janë shumë të kënaqur me rritjen që ka ardhur si rezultat i këtij programi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Bashkimit të Punëdhënësve të Malit të Zi, nëpërmjet zëvendës sekretarit të përgjithshëm, Filip Lazoviq, informuan se nuk kanë hasur probleme të raportuara gjatë implementimit të Strategjisë Fiskale, e cila përfshin rritjen e pagave përmes programit Evropë Sot 2. Lazoviq theksoi se paga mesatare është rritur nga 600 në 800 euro dhe se askush nuk ka shprehur ankesë për rritjen e pagës.

Megjithatë, ai theksoi se sfida të mundshme mund të shfaqen për shkak të pabarazive ekonomike që ekzistojnë në vend, veçanërisht në veriun e Malit të Zi, që është dukshëm më i prapambetur ekonomikisht.
“Kemi frikë për zhvillimin e situatës, por presim që të gjitha procedurat të zbatohen pa probleme të mëdha”, përfundoi Lazoviq, duke shprehur shpresën se programi do të vazhdojë të ketë sukses dhe do të sjellë përfitime për punonjësit dhe ekonominë në përgjithësi.

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio