Aktuale Më shumë

Vrasja e trefishtë, Bosnjë e Hercegovina shpall Ditë Zie Kombëtare

Prej tvteuta11:09, 26 Gusht 2024

E hëna e 26 gushtit është shpallur Ditë Zie në entitetin Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës si pasojë e vrasjes së trefishtë që ndodhi javën e kaluar në Sanski Most, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

“Dita e varrimit të viktimës së fundit të krimit tragjik në Shkollën e Mesme në Sanski Most, 26 gusht 2024, shpallet si Dita e Zisë në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës,” thuhet në vendimin e qeverisë së entitetit, i cili u miratua në seancën e datës 23 gusht.

Tre persona u vranë të mërkurën, më 21 gusht, në një sulm me armë zjarri në qendrën e shkollës së mesme në Sanski Most, në veriperëndim të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa sulmuesi mbeti i plagosur rëndë gjatë tentativës për vetëvrasje.
Sulmuesi hapi zjarr me një pushkë automatike ndaj tre punonjësve të Gjimnazit, ku mbetën të vrarë drejtori, sekretari dhe një mësues i anglishtes.
I dyshuari për vrasjen e trefishtë është një punonjës i qendrës së shkollës së mesme në Sanski Most.

Motivi i vrasjes së trefishtë ende nuk është krejtësisht i qartë.

Dita e Zisë shënohet me uljen e flamurit të Bosnjës dhe Hercegovinës në gjysmështizë, në ndërtesat e autoriteteve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, institucionet publike, institucionet dhe entitetet e tjera juridike në territorin e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio