Rajoni/Bota Më shumë

(VIDEO) Rusia njeh si të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës

Prej tvteuta02:19, 22 Shkurt 2022

Presidenti rus Vladimir Putin njohu të hënën si të pavarura dy rajone separatiste në Ukrainën lindore, duke përshkallëzuar një krizë që Perëndimi druhet se do të shkaktojë një luftë madhore.

Në një fjalim të gjatë televiziv, zoti Putin e përshkroi Ukrainën si një pjesë integrale të historisë së Rusisë dhe tha se Ukraina lindore ishte tokë e lashtë ruse dhe se ai kishte besim se populli rus do ta mbështeste vendimin e tij.

Presidenti rus njoftoi në biseda telefonike për vendimin e tij udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, të cilët shprehën zhgënjimin e tyre, sipas Kremlinit. Më pas Presidenti rus u shfaq në televizionin shtetëror duke nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve.

Lëvizja e Moskës vë në rrezik përpjekjen e minutës së fundit për një takim të mundshëm me presidentin amerikan Joe Biden për të parandaluar një sulm rus ndaj Ukrainës.

Zoti Putin mbajti një fjalim të gjatë televiziv që përfundoi me njoftimin për njohjen e dy rajoneve, ku iu referua historisë që nga Perandoria Osmane dhe deri tek tensionet mbi zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, një nga arsyet kryesore Moska ka përmendur për pakënaqësinë e saj gjatë krizës aktuale.

“Unë e konsideroj të nevojshme të marr një vendim që duhet të ishte marrë shumë kohë më parë – të njihet menjëherë pavarësia dhe sovraniteti i Republikës Popullore të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luhanskut,” tha zoti Putin.

Ai tha më herët se “nëse Ukraina do të anëtarësohej në NATO, kjo do të përbënte një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Rusisë.”

Për vite me radhë presidenti rus është përpjekur të rivendosë ndikimin e Rusisë mbi vendet që dolën pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe Ukraina ka pasur një vend të rëndësishëm në ambiciet e tij.

Rusia mohon të ketë plane për të sulmuar fqinjin e saj, por ajo ka kërcënuar me veprime të papërcaktuara “ushtarake-teknike” nëse nuk merr garanci gjithëpërfshirëse sigurie, përfshirë një premtim se Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO.

Njohja e zonave të kontrolluara nga rebelët mund t’i hapë rrugën Moskës që të dërgojë hapur forca ushtarake në dy rajonet separatiste – Donetsk dhe Luhansk – dhe të argumentojë se po ndërhyn si aleat për t’i mbrojtur ato kundër Ukrainës.

Një anëtar i parlamentit rus dhe ish-udhëheqësi politik i Donetskut, Alexander Borodai, ka thënë se separatistët më pas do të presin që Rusia t’i ndihmojë ata të marrin kontrollin e pjesëve të dy rajoneve që janë ende nën kontrollin e forcave ukrainase.

https://twitter.com/200_zoka/status/1495862532006891524?s=20&t=xBCNJXcOdMmsbFo-01KpRg

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio