“Vendimi për anulimin e aksionit “Stop inflacionit” shkaktoi çmime të egra”
Prej tvteuta14:06, 13 Gusht 2024
Vendimi i Qeverisë së Millojko Spajiqit për anulimin e programit “Stop inflacionit” menjëherë pas marrjes së detyrës, i cili u prezantua nga qeveria e mëparshme e udhëhequr nga kryeministri Dritan Abazoviq dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Goran Gjuroviq, çoi në çmime të egra, të cilat i vendosi qytetarët e Malit të Zi në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, njoftuan nga LQ URA.
Sipas tyre, programi “Stop inflacionit” u tregua i shkëlqyeshëm në një kohë kur inflacioni ishte i tërbuar në nivel global dhe ishte vendimtar për stabilizimin e çmimeve dhe ruajtjen e standardit të jetesës së qytetarëve në ato kohë sfiduese.
“Fatkeqësisht, qytetarët e paguan shtrenjtë kotësinë dhe injorancën e Spajiqit duke anuluar aksionin “Stop inflacionit”, për shkak se Mali i Zi u përball me një rritje të pakontrolluar të çmimeve të ushqimeve bazë, gjë që rrezikonte drejtpërdrejt standardin e jetesës së qytetarëve, veçanërisht atyre me të ardhura më të ulëta. ”, tha URA.
Lëvizja qytetare URA i bën thirrje Qeverisë së Millojko Spajiqit që të marrë masa urgjente për ndalimin e rritjes së mëtejshme të çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.
“Në këto kohë të vështira, është e nevojshme të drejtohen të gjitha burimet drejt mbrojtjes së shtresave më të cenueshme të shoqërisë dhe sigurimit të nevojave elementare për të gjithë qytetarët e Malit të Zi. Lëvizja qytetare URA do të vazhdojë të vërë në dukje anomalitë e servirura nga qeveria Spajiq dhe do të avokojë për marrjen e vendimeve që janë në interesin më të mirë të qytetarëve dhe stabilitetit ekonomik të vendit tonë”, përfundoi LQ URA.