Aktuale Më shumë

Vdes afro-ulqinakja File Kastrati – Sot vdiq nji librari në qytetin tim

Prej tvteuta14:49, 5 Janar 2022

Falë rrethanave të ndryshme historike Komuniteti I zezakëve apo harapëve ishte I pranishëm me shekuj në Komunën e Ulqinit, por sot, me keqardhje mund të themi se i dhamë lamtumirën e fundit edhe një afrikano–ulqinakes,  zonjën File, e cila edhe familjarisht edhe personalisht kishte një trajtim dhe respekt të posaçëm në Ulqin.  Zonja  File ishte  shumë  e dashur për të gjithë. Ishte edhe  si një ikonë e qytetit, sidomos kur shihej duke ecur rrugës e veshur  me benebrek dhe boçe të bardhe, e mbështjellur me bezhbez të bardhë mbi kokë dhe supe, nuk mund të mos vërehej.

Ajo të fliste dhe të buzëqeshte çdoherë.

Ka disa vite që mosha e largoi nga daljet dhe nuk e kemi parë shpesh siç jemi mësuar, por vërrtetë, kjo familje la shumë mbresa tek populli  i Ulqinit, duke e pasuruar edhe më shumë historinë e këtij vendi.

File Kastrati vdeku të hënën në moshën 89  vjeçare dhe u varros të marten me 04.01.2022 në Ulqin.

Ne vazhdim ju sjellim  komentin e bashkëvendases tonë që jeton në Londër, Vildana Dibra Zhubi e cila i bëri zonjës File një tekst  me dedikim te posacem në profilin e saj në Facebook.

Vildana Dibra Zhubi: Sot vdiq nji librari në qytetin tim

“Kur vdes një burr ose nji grua në moshë, nji bibliotekë digjet deri në tokë.

E me ty u mbyll kapitulli nji historije Zonja File Kastrati.

A thu sa ka ditë për historinë dhe rranjet e veta ?

A thu sa e ka dashtë Ulqinin?

A thu sa e ka dashtë Ulqini këtë jabanxhije në vend të vet ?

A thu emni nanës teme File , ishte arsye që edhe kja e mbante këtë emën ?

A thu … A thu?

Mohikanët ,janë njerëzit që ia morrën vendlindjen me dhunë,dhe vehten e kanë thirë Muh-he-ka-neew “njerëzit e ujërave që rrjedhin vazhdimisht” ose njerëzit e ujërave që nuk janë kurrë të qetë”.

E familjen tande e morrën nga vendlindja dhe nuk e di a asht e njajtë , ose mund të ishte edhe ma e vështirë, por shumë më intereson a ishin ujrat e tuaj të qetë në vendlindjen time ?

A thu sot,në cilën tokë merr udhëtimin e ri afrikane e fundit e Ulqinit tim ?

Të kam taku kur kam qenë shumë e re, dhe deshira me të taku edhe njihere nuk mu plotsu.

Veç kam dashtë me të vet disa pytje.

Disa pytje që veç mbesin pytje e kurrë nuk marrim përgjigjet si duhet.

Shpresej që ata të parët tonë kurrë nuk kanë hy në gjyna me historinë e juaj.

E kaluara din me qenë e dhimbshme dhe I ka rranjët thellë thellë në zemër….por historija mbetet histori e vrazhdë , mashtruese, e bukur dhe krenare me betejat në fitoret dhe humbjet e veta.

Unë nuk dëshiroj me livdu dhe me u mburrë me nji histori që për dikend mund të ket qenë veç mallengjim dhe e dhimshme …..ose…..?

Por nji gja e di që ju të gjithë i keni dhanë sharm të posaçëm Ulqinit tonë .

Jeni pjesa e pendës në librat e Ulqinit dhe i jepni nji madhështi të veçantë asaj të kaluar me lundrimet përtej valëve dhe brigjeve të Adriatikut.

E sot vdiq nji librari në qytetin tim” .

 

 

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio