Ulqinit i duhet një imazh i ri turistik
Prej tvteuta16:11, 9 Maj 2016
Shkruan: Gjekë Gjonaj
Ka qytete që nuk rinovohen kurrë, që ngelin të ngrira. Ulqini si qytet turistik me moshë duhet të restaurohet dhe të ndryshojë vazhdimisht. Ai ka nevojë për ndërhyrje të shumta infratsrukturore për të përmirësuar imazhin e tij turistik. Kjo për faktin e hidhur se, sidomos gjatë periudhës së tranzicionit, ka pësuar një stagnim (ngecje) të dukshëm, të cilin e vëren dhe e ndjen çdo qytetar, por edhe çdo mysafir që e ka vizituar këtë qytet së paku edhe një herë të vetme. Do të duheshin shumë investime për të përmirësuar peisazhin e Ulqinit, si qytet me histori e trashëgimi të pasur kulturore. Sfidat kryesore të pushtetit të ri vendor të identifikuara nga komuniteti i këtushëm janë konsolidimi i financave, menaxhimi i mbetjeve urbane, sistemimi i rrjetit të kanalizimeve e ujërave të zeza, ndërhyrja në infrastrukturën e disa rrugëve kryesore dhe e rrugëve dytësore të qytetit dhe fshatrave përreth, si dhe fillimi i disa projekteve madhore, pa të cilat Ulqini nuk mund të ketë një zhvillim të vrullshëm ekonomik. Padyshim se për këtë duhen edhe mjete të konsiderueshme buxhetore. “ Pa pare nuk hyp as hoxha në minare”, thotë një proverb yni popullor. Kjo është krejtësisht logjike, normale dhe e pranueshme. Sepse çdo ndërtim apo restaurim ka koston e vet financiare. Mirëpo shpeshherë me pak para mund të bëhen mjaft punë që ne i konsederojmë si “ të vogla”, por realisht ato kanë efekte të mëdha nëse kemi ide, vizion, vullnet dhe dëshirë që t’i jetësojmë ato. Sikur të ekzistonte një bashkëpunim dhe bashkëveprim më i koordinuar dhe më i harmonizuar ndërmjet autoriteteve vendore dhe drejtuesve të ndërmarrjeve publike me siguri se infrastruktura e qytetit do të kishte një pamje tjetër e cila pozitivisht do të ndikonte edhe në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të këtushëm.
Meqë jemi në prag të sezonit veror gjithësesi duhet të intensifikohen aksionet e filluara që synojnë gjallërimin urban dhe social të Ulqinit: pastrimi i të gjitha pjesëve të qytetit, përmirësimi i hapësirave publike, bartja e mbeturinave nga ekonomitë familjare, por edhe deponitë e vogla që janë krijuar dhe po krijohen nga qytetarët e pandërgjegjshëm që i hudhin mbeturinat vend e pa vend. Mirëmbajtja e hapësirave të gjelbërta po ashtu, të cilat janë “mushkëritë” e qytetit, sikurse edhe mbjellja e pemëve të reja lisi e pishash në Pyllin e Pishave dhe në parqet e qytetit.
Investim pa kosto të lartë financiare , i cili do të ndryshojë pamjen e Ulqinit, do të ishte lyerja-rikonstruksioni i fasadave në qendër të qytetit. Shumica e objekteve të banimit kolektiv, tash më se tri dekada kanë mbetur të pa mirëmbajtura, pasi pothuaj në asnjë prej tyre nuk funksionojnë këshillat e banorëve. Vetë kryetari i komunës Nazif Cungu në takimin e tij të parë me gazetarë pas rikthimit të tij në këtë detyrë me datë 13 prill 2016, ndër të tjera u shpreh:“Do të angazhohemi në lyerjen e fasadave, banesave dhe objekteve të qytetit”. Dua të besoj se kjo deklaratë e kryekomunarit Cungu mos të mbetet thjesht premtim i parealizuar, por të veprojë ashtu siç bëri ish – kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama në vitet 2003-2004, përvojë të cilën e kanë ndjekur shumë kryebashkiakë të tjerë në Shqipëri dhe disa kryetarë komunash edhe në Kosovë e Maqedoni. Ky projekt që do t’ia ndryshojë pamjen këtij qyteti mendojmë se vjen si nevojë e kohës. Faza e parë e punimeve do të duhej të fillojë sa më parë të jetë e mundur, duke filluar nga objektet e para të banimit në hyrje të qytetit dhe në vijim. Me përfundimin e lyerjes së fasadave Ulqini do të ketë një pamje krejt të re dhe do të jetë një qytet me një imazh tërësisht të ri dhe më atraktiv për pushuesit, por edhe më i bukur në pikëpamje vizuale për qytetarët ulqinakë. Kjo bukuri do të fillojë të transformojë shpirtin e njerëzve, do të ndikojnë të ndjejnë diçka që e kishin harruar, ndjesinë e objekteve të bukura.
Me një “chlik” në internet mund të shohim disa qytete europiane e botërore me fasada të lyera ( ngjyrosura) të cilat na joshin që në pamjen e parë, si: Burano që gjendet në Venecia dhe Vernazza ( Itali), Juzcr ( Spanjë), Mentone ( Francë), Breslavia ( Poloni), Copenhagen( Danimarkë), Guanajuto ( Meksikë), Majemi ( SHBA), Chefchaouen ( Maroku) etj.