Trepça shpall gjendje të jashtëzakonshme
Prej tvteuta13:32, 28 Gusht 2024
Trepça ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka vendosur që të pezullojë përkohësisht pushimet vjetore të punëtorëve. Qëllimi i vendimit është realizimi i planit të biznesit që të arrihet sasia e koncentratit të munguar gjatë ditëve të grevës. Pushimet vjetore të punëtorëve janë pezulluar përkohësisht për muajt shtator, tetor dhe nëntor të këtij viti.
Punëtorët e ndërmarrjes Trepça hynë në grevë në korrik deri më 14 gusht, për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajt qershor dhe korrik, si dhe për shkak të mungesës së dietave ditore për ushqim. Më 14 gusht, Qeveria e Kosovës ndau 4 milionë euro për pagat e minatorëve të Trepçës.
Produktet kryesore që Trepça prodhon koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera. Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare dhe 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.