Spanja në finale të Ligës së Kombeve
Prej tvteuta15:39, 17 Qershor 2023
Spanja është finalistja e dytë e Ligës së Kombeve të UEFA-s. Të premten në Enschede të Holandës, Spanja fitoi 2:1 ndaj Italisë në gjysmëfinalen e dytë. Joselu shënoi golin e fitores për Spanjën në minutën e 88-të. Atij i erdhi me fat topi në zonë, ndërsa nuk e lëshoi rastin e artë.
Dy golat e parë u shënuan herët në ndeshje. Yeremy Pino kaloi në epërsi Spanjën që në minutën e tretë.
Ai realizoi pas gabimit të kapitenit të Italisë, Leonardo Bonucci. Ciro Immobile barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 11-të. Penalltia u shkaktua për lojë me dorë në zonë nga Robin Le Normand. Më pas Italisë iu anulua një gol për pozitë jashtë loje, por gola të tjerë nuk u realizuan.