Shqekiq pret mbështetjen e parlamentit: serbishtja të jetë gjuhë zyrtare, Gjeloshaj të “lëshojë topin”
Prej tvteuta10:11, 25 Tetor 2024
Nënkryetari i Partisë Popullore Socialiste (SNP) dhe ministri i Sportit dhe Rinisë Dragosllav Shqekiq tha se pret mbështetjen e dy të tretave në parlament për ndryshimet në Kushtetutë që do ta shpallin gjuhën serbe zyrtare.
“Unë pa mëdyshje besoj se gjuha serbe duhet të jetë zyrtare, nëse respektojmë qytetarët e vendit tonë dhe nevojat e tyre. Të njëjtën gjë do të thosha nëse do të ishte ndonjë popull tjetër… , ata duhet të japin mbështetjen e tyre. Nëse partitë deklarohen për të qenë civilë, duhet ta respektojnë këtë fakt”, tha Shqekiq në TV Vijesti.
Ai thotë se kreu i Forumit Shqiptar, zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj ka të drejtë të luftojë për të drejtat e popullit të tij dhe se kjo është normale, por duhet të respektojë edhe të drejtat e të gjithë popujve të tjerëve, “nëse dëshiron të sillet realisht dhe me përgjegjësi ndaj të tjerëve ndaj banorëve të Malit të Zi”.
Gjeloshaj tha dy ditë më parë se përpjekjet për të ndryshuar strukturën kombëtare të Malit të Zi do të hasnin në një “përgjigje të ashpër”.
“Këto deklarata i konsideroj pak të vrazhda dhe egoiste dhe e ftoj kolegun tim që të ‘lëshojë topin’ në atë drejtim, nuk e kam fjalën për qëndrimin e tij ndaj subjekteve të caktuara politike, por në përgjithësi për qëndrimin e tij ndaj një populli të caktuar, në këtë rast ndaj qytetarëve që deklarohen si serbë, dhe atyre të tjerëve që nuk deklarohen si të tillë, por që flasin gjuhën serbe, nuk është e drejtë që ne të luftojmë për të drejtat tona, ndërsa të tjerëve ua mohojmë ato” tha Shqekiq.