Shkollarët e vegjël shqiptarë të Jasenicës në vend të Abetares mësonin Bukvarin
Prej tvteuta21:36, 25 Mars 2016
Shkruan: Gjekë Gjonaj
Në vargun e vendbanimeve të banuara me shqiptarë në Komunën e Plavës është edhe fshati Jasenicë, mjedis i vogël, por piktoresk. Këtë fshat të harruar nga shteti e kam vizituar për herë të parë në fund të muajit tetor 1996. Panoramën e këtij mjedisi e zbukurojnë vargmalet e tij përreth qofshin edhe me ajrin e pastër. Edhe pse vetëm 8 kilometra nga Plava të shkohet në Jasenicë nuk është aspak e lehtë. Rruga që e lidhte fshatin me Plavën asokohe ishte e paasfaltuar dhe ishte vështirë të kalohet nëpër të, pasi askush nuk kujdesej për mirëmbajtjen e saj. Në kushte të tilla pjesa dërmuese e fshatarëve udhëtonin në këmbë, apo me kuaj. Më së vështiri e kishin shkollarët e vegjël të fshatit. “ Fshati ka 6 nxënës filloristë. Ata mësimin e ndjeknin në shkollën fillore në fshatin Hot, ku mësimi zhvillohet në gjuhën serbokrate ( malazeze), pasi e kanë ndërprerë shkollimin shqip. Në shkollën e atjeshme katërklasëshe nxënësit shqiptarë në vend të Abetares mësonin “Bukvarin”. Pas kryerjes se shkollës katërklasëshe mësimin e ndjekin në Plavë, kurse nxënësit e mëparshëm që mësimin e ndjeknin në gjuhën shqipe shkollimin tetëvjeçar e kanë ndjekur në Guci, 20 kilometra larg fshatit. Nxënësit udhëtojnë në këmbë”, na pat thënë njëri prej banorëve të këtushëm, i cili insistoi të mos i përmendet emri.
Mosqarkullimi i autobusit urban nuk ishte i vetmi hall i këtyre bjeshkatarëve të vyeshëm. Mënyrën e jetesës ua vështirësonte edhe mungesa e shtëpisë së shëndetit dhe shitorja. Për ta vizituar mjekun apo për t’u furnizuar me artikuj ushqimorë banorët e fshatit u duhej mirë të djersiten. Më së vështiri na thanë fshatarët e kemi kur bie shi , me ç’rast pengesë të madhe paraqet balta. Ndërkaq kur është koha e thatë udhëtimin e vështirëson pluhuri. Megjithatë shumica e banorëve të Jasenicës i kanë mbetur besnik, vatrave të veta, ndonëse edhe këtu është i shprehur mërgimi. Prej 18 amvisërive sa numëronte dikur fshati tani këtu banojnë 13 amvisëri. Familja e parë që është shpërngulur këtu, siç na informuan bashkëbiseduesit më të vjetër të Jasenicës, është fisi Selimaj. Menjëherë pas tyre strehim këtu gjetën vëllazëritë Rexhepagaj, Serdanaj, Rugova, Mehmedoviq dhe Lekiq.
Se në ç’mënyrë jetojnë këta banorë na tregoi Demë Selimaj.
“ Jasenica është vendi më i mirë për bagëti në krejt Malin e Zi, për lopë, për dele, për bletë, për gjtihçka. Këtu kultivohet kollomoqi ( misri) lakra, krompiri,( patatja) etj. Mirëpo toka punohet pak, e ajo do shumë punë. Sivjet ka qenë thatësi e amdhe. Nuk kemi pas ujë me vaditë arat. Kemi marrë pak fryte, pak misër, pak sanë e pak otavë”, na tha Selimaj.
Edhe ky dimër që po afrohej këta fshatarë i kishte gjetur të papërgatitur. Por ata duke rrullur krahët na thanë se janë mësuar me plobleme të ngjashme dhe shtuan se ndjehen të lënë pas dore nga ata që do të duhej të kujdeseshin për zgjidhjen e nevojave elemtare të fshatit.
Autoritet komunale të Plavës , ku bie edhe Jasenica , po ashtu edhe ato qëndrore akoma nuk e kishin parë të arsyeshme të bëjnë ndonjë investim kapital në Jasenicë, madje as nxënësve shqiptarë t’ua mundësojnë mësimin në gjuhës shqipe.