Reagim: Harun Haxhiq, ky mohues i gjenezës së vet shqiptare
Prej tvteuta11:50, 27 Janar 2023
Shkruan Ali DACI- Rozhajë
-Reagim pas publikimit të deklaratës së tij rreth gjenezës së shqiptarëve të Sanxhakut, dhënë portalit Sanxhaçke.rs –
Ka kaluar një kohë bukur e gjatë që kur Dr. Harun Haxhiq nga Njegushi i Rozhajës ka lëshuar një deklaratë skandaloze e qëllimkeqe, për një portal në Sanxhak.
Ky jurist i zoti, në fillet e demokracisë në Mal të Zi ka qenë kryetar i Partisë së Aksionit Demokratik në Mal të Zi dhe në zgjedhjet e para parlamentare në këtë shtet ai hyri në koalicion me të vetmen parti politike shqiptare, në atë kohë me Lidhjen Demokratike në Mal të Zi, të cilën e udhëhiqte Mr. Mehmet Bardhi, ish i burgosuri politik i shtetit jugosllav, i cili e patë akuzuar si nacionalist e irridentist. Ky kolacion u quajt “Koalicioni Demokratik” dhe se në zgjedhje e para fitoi plot 13 ulëse në Parlamentin e parë pluralist në Republikën e Malit të Zi. Nga trembëdhjetë deputetë, sa fitoi Lista Zgjedhore, katër deputetë ishin shqiptarë dhe nëntë nga radhët e PAD-SDA. Atë botë Z. Harun mbronte çështjen e muslimanëve në këtë Parlament e ndonjëherë edhe atë të shqiptarëve.
Kurrë Z. Harun nuk u bind për shumë gjëra të ndodhura në këtë shtet e aq më pak kur ishte çështja e të Drejtave të Njeriut dhe e klasës punëtore. Duhet theksuar se politika malazeze kur pa rrezikun e grumbullimit të shqiptarëve në një subjekt politik, filloi politikën e përçarjes dhe kështu nuk shkoi shumë kohë dhe shqiptarët u ndanë në dy tabore, e disa lakmues për pushtet formuan klanet dhe iu bashkangjitën partisë së Milo Gjukanoviqit duke dëmtuar fort subjektet shqiptare, të cilat i ndanë ato katër mandate, por më vonë do të humbnin 50 përqindëshin e elektoratit dhe kështu herë me një e herë me asnjë deputet vinin në Partlament si subjekte të pazëshme më.
Në anën tjetër partia në pushtet hartoi një komplot kundër PAD-SDA dhe e burgosi Harun Haxhiqin me 3 aktivistë më të zëshëm të kësaj partie. Ky komplot dëmtoi fuqishëm këtë subjekt dhe se elektorati i saj me shumicë iu bashkangjit të “fortit”.
Pas lirimit nga burgu Haxhiq do të rreshtohej në krahun e bashkimit Serbi-Mali i Zi dhe kjo do t’i kushtonte shumë, pra ishte kundër Pavarësimit të Malit të Zi.
Me shpalljen e Malit të Zi shtet të pavarur, me një votim me mbi 55 % e votuesve ishin pro shkëputjes së Malit të Zi nga Serbia. Haxhiq, pas këtij plebishiti merr rrugën e ikjes në Sanxhak.
Atje përkrahet nga qarqet e caktuara vendore në krye me Muamer Zukruliqin, i cili e avancoi shumë dhe pas marrjes së gradës Doktor i Shkencave Juridike ai u bë edhe Rektor i Universitetit privat të Zukurliqit në Novi Pazar.
Duke folur për boshnjakizimin e shqiptarëve në Sanxhak, Z. Harun, ky bashkëpunëtor i hershëm i shqiptarëve, lëshoi një deklaratë për një portal në Sanxhak, sa tendicioz aq edhe qëllimkeq, pa studiuar në esencë çështjen në fjalë. Kjo përshtatje e politikës ditore, nuk i shkon këtij burri të cilin ne shqiptarët në Mal të Zi goxha e kemi duartrokitë sa ishte në politikë, e me keqardhje e kemi pritë burgosjen e tij. Mirëpo, me këtë rast jam i shtrenguar nga vet fakti që t’i them dy tri fjalë mikut tim të vjetër, Z. Harun Haxhiq.
Duke shpjeguar për një portal boshnjak se si ndodhi “boshnjakizimi i shqiptarëve të shpërngulur në Sanxhak”, Haxhiq tha se rreth vitit 1700, disa fise shqiptare u vendosën në Sanxhak dhe morën identitetin boshnjak.
Ky është gabimi më skandaloz i zotit Haxhiq, që popullatën autoktone iliro-dardane e nxjerrë si sllave e kur mirëfilli dihet se populli i kësaj zone që nga egzistenca i takon atij të fisit Dardan. Ai nuk i ka larg muranat Ilire t’i vizitojnë në pjesën e vjetër të Pazarishtës, të cilat edhe sot janë aty.
Në vazhdim ai i përgjigjet pyetjes, pse ato fise nuk mbetën ato që ishin, apo pse nuk e shqiptarizuan popullsinë vendase, por proçesi u përmbys. “Fakti është se ato fise të reja shqiptare, duke ardhur në Sanxhak, gjetën një popullsi më të madhe sllavo-boshnjake dhe u përzienë me të. Aty, natyrisht, kishte ndërthurje dhe ndikim kulturor të ndërsjellë, ku mbizotëronte elementi sllavo-boshnjak.
Këtu, miku im, harron se prezenca e Sllavëve të Jugut ka shekuj që vepron. Ata me dhunë kanë asimiluar elementin shqiptar atje, duke i marrë gjuhën e imponuar sllavishten dhe në shumicën e rasteve u janë marrë objektet e besimit. Pra, zoti Haxhiq, ky është fakti dhe fatkeqësia jonë atje.
Haxhiq, më tutje, shton se e gjithë kjo ka ndodhur në mënyrë paqësore dhe shkon pa përmendur pushtuesit sllavë direkt të pushtuesit osman me ç’rast thotë: “Pse, për shembull, turqit osmanë si qeveri e asaj kohe, e cila ishte e vetmja në shtetin e saj që mund të aplikonte forcë, në territorin e saj unik shtetëror, ku gjuha turke ishte zyrtare, ku islami ishte feja dominuese, ku etnitë nuk ishin të rëndësishme për ata, pse do të preferonin identitetin, gjuhën dhe kombësinë sllave mbi atë shqiptare.
Për këtë konstantim të tijin kam zgjedhë përgjigjen më të mirë të mundshme, Relatën (Relacionin) e Vincenc Zmajeviqit, të hartuar për Peshterin në vitin 1702-1703. Këtu Haxhiq harron se popullata kelmendase ishte e besimit katolik në atë kohë dhe pikërisht për ta dëshmuar këtë po jap në tërësi njoftime të gjithanshme mbi gjendjen e Shqipërisë dhe veprimtarisë së imzot Vincent Zmajeviqit, Kryepeshkop i Tivarit, Vizitator Apostolik i Shqipërisë, i cili shkruan për Peshterin, si më poshtë:
Peshtera
Fushë shumë e këndshme dhe pjellore që ka qënë shënuar për banim të të mërguarëve kelmendas, me sasinë e 251 shtëpive (konaqeve) me 1987 frymë. Ishin pa kishë e pa meshtarë, prandaj ishin në rrezik ose të përqafonin skizmën (ortodoksinë) ose të bëheshin turqë (myslimanë), sepse nuk kishin ndihmën e punëtorëve (klerikëve).
Si u pa nevoja për ndihmë, Vizitatori, me ndopak mundim, nxori miratimin e Pashës, armikut të tyre më të egër që të dërgonte dy etër misionarë. Qenë zgjedhur Atë Antoni nga Montemuro, që atëherë shërbente si misionar në Selcë të Kelmendit, i ditur dhe i dashur prej tyre, sepse ka anë të mira dhe rregulltare; si edhe At’ Karlo nga Belaxhio, i ri në detyrë, që pak kohë më parë ka ardhur nga Italia. Këta qenë furnizuar prej vetë Vizitatorit me gjërat e nevojshme për jetesën e tyre, derisa do të marrin Provizionin prej dhembshurisë së Kongregacionit të Shenjtë me 30 skudë vjetorë dhe dy palë orendi të shugurueshme. Ata të dërguar të shkretë i kanë pritur me shumë ngushëllim dhe ata vetë kanë përgatitur materialet për të ndërtuar një banesë të përshtatshme për vete. Shpresohet të jetë i frytshëm ky Mision dhe Etërit nuk do të trazohen prej të pafeve, sepse kanë mbrojtjen e zotit Vlash Gjikoviq, tregtar raguzian në Novi Pazar, të cilit ia ka porositur Vizitatori, që ka nxjerrë edhe angazhime për ndihmë të frytshme, nga seria e tregimit nxirren nevojat dhe mjetet e shërimit për Serbinë që janë: Të caktohet një misionar në Prizren, me provizionin e 20 skudëve dhe, për këtë zyrë, propozohet D. Andrea Pavloviqi, që banon në Raguzë. Të caktohet një punëtor (klerik) ndihmës për D. Pjetër Zogaj, misionar i Gjakovës. Me një provizion të tillë dhe, në këtë nevojë, mund të shkonte aty D. Anton Lindi, misionar i Shoshit në Pult.T’i dërgohet provizioni misionit të Pejës, me dy palë orendi të shugurueshme dhe me një subsid (ndihmë në të holla) të dhembshur, veç për një herë, prej 50 skudësh për ndërtimin e shtëpisë e të uratores.
Hodo Verdiu që kishte urdhëruar dhe zbatuar shpërnguljen e Kelmendasve në Peshter më 1700.
Pra, Vlash Gjikoviqi i ka siguruar Vizitatorit jo vetëm mbrojtje, por edhe ndihmë. T’i shënohen 30 skudë misionit të ri të Peshterës me dy palë orendi të shugurueshme që të shërbejnë për meshim dhe për kujdesin famullitar. Këto janë nevojat më të mëdha të Serbisë (Kosovës) veç hollësive të shënuara më lart.
*
Pra, nuk kishte nevojë të përdorej forcë për të boshnjakizuar ato fise shqiptare të sapoardhura. Por, thjesht në kuptimin shkencor, është e rëndësishme të sqarohet se si ka ndodhur në të vërtetë ky proces konvertimi dhe asimilimi.
Haxhiq pohon se boshnjakizimi i shqiptarëve ka ardhur përmes gjuhës, e cila, thotë ai, është tipari kryesor i kombit këtu. Haxhiq adulon se gjuha që përdorin sot boshnjakët, shqiptaret e asimiluar atje, është gjuha mosane, por harrojnë se kjo gjuhë nuk ka alfabet e as gramatikë të veten, andaj politika serbe u bënë qejfin duke mos u mohuar gjuhën që përdorin, e le ta quajnë si të duan, por prapë ka alfabetin serb. Duke i ikur së vërtetës historike mbi fatkeqësinë shekullore që ka përjetuar Kombi Shqiptar në tokën e vet nga pushtuesit e shumtë ai si përkrahës i pushtuesve turqë, thekson:
“Përkatësisht, nëse gjuha turke ishte gjuha zyrtare shtetërore, pse ato fise shqiptare të sapo ardhura pranuan një gjuhë tjetër sllave, më pak të rëndësishme dhe jozyrtare, në vend që të pranonin gjuhën turke? Përgjigja e mundshme është: ato fise të sapoardhura nomade, blegtorale, malore, u gjendën papritur në një mjedis të ri, më kulturor, në një mënyrë të re jetese dhe pune, në një mjedis ku marrëdhëniet shoqërore ishin në një nivel më të lartë qytetërimi (tregti, zeje, shkollat, jeta fetare), ata thjesht, gjatë një periudhe të caktuar, u asimiluan- u mbytën. Me fjalë të tjera, si më të dobët, ata ishin të zhytur nga mjedisi i tyre, në çdo aspekt, më dominues boshnjako- sllav.
Zoti Haxhiq, si do ta pranonin katolikët kelmendas gjuhën e pushtuesit turk?! Ata të ardhurit pikërisht kishin ikur në Peshter tek të afërmit e tyre të të njejtit besim e gjuhë, andaj gjuha e turkut ishte dhe mbetet gjuha e asimilimit dhe e tjetërsimit. E me ikjen e turqëve sllavishtja i kaploi e asimiloi të gjithë, si ata të hershmit në Sanxhak ashtu edhe ty e mua. Andaj rezistenca për ruajtjen e kultit më të shenjtë të Gjuhës Shqipe vazhdon në Sanxhak edhe sot e gjithë ditën.
Z.Haxhiq harron ose nuk di më shumë se kaq për historinë e hershme të kësaj treve e aq më pak të kësaj popullate të lashtë me origjinë Iliro-Dardane.
Vet Z. Harun Haxhiq rrjedh nga Kelmendi dhe se origjina e tij është ajo e fisit të Vuklit. Të mohosh gjenezën tënde për hirë të politikës ditore është më tepër se krim.
Shkruan Ali DACI- Rozhajë,
Kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” për Malin e Zi e Sanxhak,
Nënkryetar i Organizatës “Kosova për Sanxhakun”