Një karikues për gjithçka, Parlamenti Evropian jep dritën jeshile
Prej tvteuta15:36, 4 Tetor 2022
Parlamenti Evropian miratoi rregulla të reja të martën duke prezantuar një karikues të përbashkët për pajisjet e vogla elektronike si smartfonët dhe tabletët. Ligji i ri do të thotë se duke filluar nga vjeshta e vitit 2024, USB-C do të jetë porta standarde e karikimit për telefonat inteligjentë, tabletët, , tastierat, mausët e kompjuterit, pajisjet GPS, kamerat dixhitale, kufjet, etj..
Duke filluar nga viti 2026, USB-C do të bëhet gjithashtu portë karikimi edhe për laptopët. Vendimi u miratua me shumicë të madhe: 602 vota pro, 13 kundër dhe tetë abstenime. “Kjo zgjidhje e thjeshtë, çdo vit, do të na kursejë mijëra tonë mbeturina elektronike, e do të reduktojë kostot e panevojshme për konsumatorët,” tha eurodeputeti maltez Alex Agius.
Pajisje të tilla gjenerojnë nga 11,000 deri në 13,000 ton mbetje elektronike çdo vit, sipas Komisionit Evropian, dhe rregullat e reja pritet ta reduktojnë këtë sasi në mënyrë drastike. Prodhuesit e telefonave inteligjentë i kanë rezistuar këtij vendimi për vite me radhë. Por në vitin 2020 Parlamenti nxiti edhe më shumë thirrjet e tij drejtuar Komisionit Evropian për të paraqitur një propozim legjislativ për të rregulluar këtë çështje. Qeveritë e BE-së tani pritet të japin miratimin e tyre përfundimtar gjatë takimit të Këshillit të Mjedisit më 24 tetor.Pas kësaj, legjislacioni do të hyjë në fuqi. Vendet e BE-së do të kenë gjashtë muaj kohë për ta integruar atë në ligjet e tyre kombëtare.