Nimanbegu: Forca ka potencial të punojë në shërbim të qytetarëve
Prej tvteuta17:45, 3 Nëntor 2021
Kryetari i ri i Forcës Genci Nimanbegu, i zgjedhur në kongresin e IV-të të kësaj partie, gjatë pjesmarrjes në emisionin Link në Radio Mali i Zi shprehu besimin se Forca në të ardhmen do të jetë shembull edhe për partitë e tjera shqiptare. “Unë jam për ndryshim të diskursit të partive politike, për ndryshimin e politikës brendapartiake, që qytetari të jetë në radhë të parë.Dua të tregoj se nuk jemi të gjithë njësoj, dhe se brenda Forcës ka të rinj të cilët e kuptojnë politikën si diçka në shërbim të qytetarit, në nivel lokal dhe shtetëror, që rezultatet tona të njihen më qartë dhe të kemi një qëndrim të përgjegjshëm ndaj asaj që është qëllimi i politikës, pra përfaqësimi i votuesve. ”, tha Nimanbegu. A gjithashtu potencoi nevojën e një bashkëpunimi më të mirë me partitë e tjera shqiptare. Duke folur për mundësinnë e pjesmarrjes së subjekteve të pakicave në Qeverinë e tanishme ose ndonjë tjetër të përbërë nga mazhoranca aktuale, Nimanbegu tha se është e vështirë të arrihet një marrëveshje politike, pasi kompromiset politike që duhen bërë nga të dyja anët janë tepër të mëdha që ajo të realizohet. Lidhur me iniciativën “Ballkani i Hapur”, e iniciuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Nimanbegu tha se për momentin ajo duket si iniciativë e sforcuar për shkak se nuk pranohet nga tre vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Mospranimi i kësaj nisme është një shenjë e qartë se ajo nuk është sqaruar sa duhet dhe se mund të jetë pengesë për marrëveshjet e tjera, si CEFTA apo “Procesi i Berlinit”. Nimanbegu vendosi në dyshim edhe sinqeritetin e nismës, dhe se momentalisht ajo i duket më shumë si një lojë politike. Sa i përket regjistrimit të popullsisë, Nimanbegu tha se këtu nuk sheh asnjë problem, kurse për tekstin e ligjit ai tha se kanë të njëjtat ankesa si në vitin 2011, kur nuk ishin të kënaqur me mënyrën e marrjes së rezultateve.