Në Kalanë shekullore të Ulqini filloi manifestimi kulturorë “SkenaVerore 2024”
Prej tvteuta12:07, 2 Gusht 2024
Në Kalanë shekullore të Ulqini filloi manifestimi kulturorë “SkenaVerore 2024”.Ky aktivitet për vite me radhë tregon një nivel të lartë kulture, tregon histori dhe gjurmë të bukura të artit.
Skena Verore edhe këtë vit organizohet nga Qendra për Kulturë – Ulqin, e mbështetur nga Komuna e Ulqinit, Organizata Turistike dhe Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi.
Festivali “Skena Verore 2024”, i cili këtë vit nisi me koncertin e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, vazhdon me aktivitetet që pasojnë nga data 30 korrik e deri më 30 gusht 2024.
Mbrëmja e parë e Skenës Verore, në Kala, u nis me ekspozitën e piktorit nga Kosova, prof. Xhevdet Spahija të titulluar “Në kohezion me etnosin”.
Prof. Xhevdet Spahija ka lindur në Pejë, ku edhe kreu shkollën teknike të artit figurativ. Në studimet pasdiplomatike ka marrë titullin “Magjistër i Pikturës”, ndërkohë që ka punuar profesor arti në gjimnazin e qytetit të Gjakovës. Aktualisht është në pension dhe zhvillon në komoditet të plotë jetën e tij artistike. Rikujtojmë se rruga e krijimtarisë artistike e prof. Xhevdet Spahijajt ka nisur që në vitin 1971 duke qenë pjesëmarrës në ekspozita të ndryshme kolektive, për të vazhduar edhe me organizimin e ekspozitave personale të cilat kanë vazhduar rrugën e saj deri në ditën e sotme. Puna krijuese e artistike e krijuar prej vitesh e prof. Spahijajt radhit afro 40 ekspozita personale të hapura në Kosovë, Shqipëri, Kroaci, Suedi, Poloni dhe në shumë vende të tjera, si brenda trojeve tona ashtu edhe jashtë tyre.
Për të folur më shumë për ekspozitën në fjalë e mori fjalen piktori dhe profesori Jozo Koçoviq.
Pas këtij vështrimi kritik të profesorit Jozo Koçoviq, fjalën e mori autori i ekspozitës, piktori Xhevdet Spahija, i cili u shpreh i kënaqur që paraqiti veprat e tija në këtë Kullë-Galeri.
Këtë vit kjo skenë do të sjellë një program të pasur me shfaqje teatrore, koncerte, ekspozita dhe performanca të ndryshme artistike që do të ngjyrosin mbrëmjet verore të Ulqinit. Aktivitetet do të mbahen në hapësirat e Muzeut Vendor në Kala duke filluar nga nata e sontme e deri më 30 gusht ku do të përmbyllet me koncertin e artistes së mirënjohur të muzikës xhez Elina Duni.
Fjalën përshëndetëse për të hapur këtë edicion të Skenës Verore e mori kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.
Me ftesën e Qendrës për Kulturë Ulqin, grupi artistik shkodran i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, me artistë të rinj dhe të mirnjohur të Shkodrës, performuan në këtë mbrëmje të veçantë kulturore.
Ulqini dhe Shkodra ndajnë ndër vedi shumë gjëra të përbashkëta si: gjuhën, historinë, miqësinë dhe krushqinë, traditën e të jetuarit dhe të gatuarit, por ajo ç’ka i bashkon ma së shumti është kënga popullore që i ka përcjellë në raste gëzimesh dhe dasma të ndërsjellta.
Është Qendra Kulturore “Pjetër Gaci”që në bashkëpunim me orkestrinën e Teatrit “Migjeni” organizon aktivitetin ”Ahengu Shkodran” për 10 vite me rradhë, të cilët në këtë mbrëmje sollën disa nga këto vlera të këngës shkodrane.
Vlenë të theksojmë se për këtë aktivitet janë përkujdesur Dritan Mlika si drejtor organizativ, Ilir Zoga si drejtues muzike dhe Bardhyl Hysa si drejtues artistik.