Më shumë se një mijë kompani turke janë aktive në Mal të Zi
Prej tvteuta14:22, 12 Shtator 2024
Rreth 10,000 kompani turke janë të regjistruara në Mal të Zi, nga të cilat pak më shumë se një mijë janë aktive, dominuese në sektorin e ndërtimit.
Kështu ka bërë të ditur ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Barisha Kalkavan, në takim me ministrin e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Sllaven Radunoviq.
Kalkavan e informoi Radunoviqin edhe për themelimin e Dhomës së Tregtisë Turke në Mal të Zi, e cila bashkon kompanitë kryesore turke që operojnë në Mal të Zi, si dhe për formimin e Komitetit për Ndërtim në kuadër të saj.
Radunoviq në takim tha se është i kënaqur me marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e investimeve turke që kontribuojnë në zhvillimin e Malit të Zi.
“Ministria do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim me investitorët turq, si dhe me të gjithë investitorët e tjerë që me angazhimin e tyre dhe në përputhje me ligjet në fuqi do të kontribuojnë në krijimin e një ambienti më të mirë dhe më funksional të biznesit në Mal të Zi”, përfundoi ai.