Macron mesazh Vuçiqt, publikohet letra para nisjes së vizitës në Serbi
Prej tvteuta13:50, 29 Gusht 2024
Mediet franceze shprehen se në letrën që I paraprin këtij takimi Macron shprehet se shkon atje me një mesazh të thjeshtë: Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare kanë nevojë për një Serbi të fortë dhe demokratike në krahun e tyre.
“Ashtu si Franca, jam i bindur, Serbia aspiron pavarësinë dhe sovranitetin që mund t’i japë vetëm BE-ja, e cila ka mjetet e autonomisë së saj strategjike. Ne do ta ndërtojmë këtë autonomi strategjike së bashku duke i siguruar vetes mjetet për të garantuar sigurinë tonë dhe duke forcuar bashkëpunimin tonë në mbrojtje”, thuhet në letrën e publikuar nga mediet franceze.
Po ashtu pjesë e rëndësishme e këtij takimi pritet të jetë edhe çështja e blerjes së mundshme të avionëve luftarakë Rafale nga ana e Beogradit.
Ndërkohë për Kosovën, në letrën e publikuar të Macron ka një vend poashtu të veçantë, ku I qëndron rrugës së dialogut dhe zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara.
“Mundësinë që serbët të jetojnë në Kosovë me respektim të ligjit, por pa hequr dorë nga identiteti apo lidhjet e tyre natyrore me Serbinë, por edhe ekzistencën e garancive në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”, thuhet ndër të tjera në letër.
Sipas agjendës, takimi mes dy liderëve do të zhvillohet në orën 18:45 dhe një orë më vonë është planifikuar konferenca e përbashkët për shtyp.