KURTI I PËRGJIGJET AMBASADORIT AMERIKAN: NUK MUND TË KETË ASOCIACION MBI BAZA ETNIKE
Prej tvteuta16:07, 17 Qershor 2021
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përsëriti se Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike.
- Kurti komentoi për KosovaPress deklaratat e ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, i cili tha të mërkurën se Kosova e ka detyrim të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas kryeministrit Kurti, deklaroi se Kosova e ka një asociacion të komunave dhe ky është funksional.
“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë, asociacion të Bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të lumit Lepenc. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht, një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, u shpreh Kurti.
Ambasadori amerikan, Philip Kosnett të mërkurën ka thënë se Kosova ka detyrim të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, e po ashtu që shtetet kanë detyrim që të respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e tyre.