Kthehet koronavirusi,OBSH po mban nën vëzhgim një variant të ri
Prej tvteuta15:23, 18 Gusht 2023
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane, thanë të premten se po vëzhgojnë nga afër një variant të ri të koronavirusit, ndonëse fuqia e tij potenciale nuk është ende e njohur.
OBSH-ja e ka klasifikuar variantin e ri si nën vëzhgim “për shkak të numrit të madh të mutacioneve që mbart”, thuhet në buletinin e kësaj organizate për pandeminë. Deri më tani, varianti i ri BA.2.86, është identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara, Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë thënë, po ashtu, se janë duke vëzhguar variantin.
Shumica e shteteve që kanë krijuar sisteme vëzhgimi për këtë virus, tashmë i kanë pezulluar të gjitha operacionet, duke thënë se koronavirusi nuk është më aq i ashpër dhe nuk ia vlen barra qiranë, veprim ky që është dënuar nga OBSH, e cila ka bërë thirrje për më shumë monitorim. Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020. Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të ndjekur nga India dhe Brazili