Intervistë me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Karen Maddocks
Prej tvteuta17:16, 18 Mars 2022
TV Teuta pati nderin që gjatë aktivitetit përmbyllës së projektit “Media For All”, të intervistojë ambasadoren e Mbretësisë së Bashkuar në Mal të Zi, znj. Karen Maddocks. Përveç projektit në fjalë, vëmendje të veçantë në bisedë i kushtuam gjëndjes së mediave në Mal të Zi, por jo vetëm, dhe problemeve me të cilët ato përballen në kohët e sotme.
TV Teuta: Zonja ambasadore, ju falenderojmë që keni ndarë sot kohën tuaj për ne. Lidhur me projektin Media For All. Sa e rëndësishme është që të kemi media të lira dhe të pavarura?
Ambasadorja Maddocks: Medoj se mediat e pavarura janë një pjesë shumë e rëndësishme e secilës demokraci. Është me rëndësi që profesionistët e mediave të kenë mundësi të hulumtojnë lirshëm, në mënyrë që të thërrasin para përgjegjësisë qeveritë, por edhe qytetarët apo bizneset. Ata mund të hedhin dritë mbi atë se çfarë po ndodh në një vend apo komunitet të caktuar, dhe kjo siguron që problemet të adresohen, ndërsa njerëzit të marrin përgjegjësinë e duhur për të sjellur ndryshime pozitive. Është një mjet i rëndësishëm për të thirrur Qeverinë në përgjegjësi, dhe si i tillë diçka e nevojshme në secilën demokraci. Edhe programi Media For All merret me rritjen e profesionalizimit të mediave, në mënyrë që të raportojnë në mënyrë të saktë, dhe duke e bërë këtë, të ndikojnë që pushtetet, bizneset apo struktura të tjera, të jenë përgjegjës për punën e tyre. Ambasada britanike po punon edhe në projekte të tjera paralele, jo vetëm me gazetarët por edhe me Qeverinë, sidomos këtu në Mal të Zi, në mënyrë që të ndihmojë në përmirsimin e legjislaturës për industrinë mediatike, dhe të sigurojë që ekzistojnë mekanizmat e duhur për të ndikuar që edhe mediat të jenë përgjegjëse për atë që publikojnë.
TV Teuta: Gjatë qëndrimit tuaj në Mal të Zi, cilat keni identifikuar si pengesat kryesore me të cilat përballen mediat, jo vetëm ato lokale, por mediat në përgjithësi.
Ambasadorja Maddocks: Aktiviteti i sotëm është pikërisht për atë që mediat të ndërtojnë modele të qëndrueshme biznesi, dhe kjo është ajo që një pjesë e tyre edhe e kanë ngritur këtë një vit e gjysëm. E kanë shumë të vështirë të qëndrojnë në këmbë nga ana ekonomike. E gjithë natyra e sektorit mediatik po ndryshon, po lëviz më shumë online, dhe mediat kanë nevojë për adaptime në këtë drejtim, dhe në mënyrë që të mbijetojnë , duhet të rishikojnë modelin e funksionimit. Është me shumë rëndësi për të gjithë vendet që mediat të jenë ekonomikisht të qëndrueshme, në mynyrë që të ketë diversitet në raportimet e tyre.
Nëse mediat për shembull shqiptare në Mal të Zi kanë një pikëpamje të caktuar, është me rëndësi që të kemi edhe media të tjera që ofrojnë pikpamje të tjera, që të mos jemi të mbyllur por të kemi qasje në një spektër më të gjërë.
TV Teuta: A është stabilititi financiar, apo mungesa e këtij stabilitieti, problemi kryesor për mediat në Mal të Zi. Po presioni politik? E keni vërejtur këtë problem tek mediat këtu?
Ambasadorja Maddocks: Ajo që kam vërejtur tek mediat në Mal të Zi, dhe që në fakt ekziston edhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe kudo në botë, është se mund të jenë të ndikuar nga politika. Raportojnë nga një kënvështrim i caktuar politik, dhe kjo në fakt është normale. Secila organizatë mediatike, përveç ndoshta asaj publike, përfaqëson interesat e grupeve të caktuara shoqërore. Ne flasim për media të pavarura, por kjo nuk do të thotë se janë të paanshëm, ato gjithmonë kanë perspektivën e tyre dhe kjo është arsyeja pse duhet një diversitet mediatik në secilën shoqëri, që të kemi mundësi ti shohim gjërat nga perspektiva të ndryshme. Edhe në Mal të Zi mediat mund të ndikohen nga politika, informimi për ngjarje të caktuara ndonjëherë ekzagjerohet, por kjo është normale, ajo çka duhet të bëni kujdes këtu në Mal të Zi, dhe kjo vlen kudo, është rreziku i dezinformimit. Njerëzit mund të përdorin mediat për të arritur qëllimet e tyre politike, dhe kjo është sidomos e rrezikshme në kontekstin e asaj që po ndodh në Ukrainë. Jemi të shqetësuar për faktin se narrativi pro rus , i cili mund të vij edhe direkt nga Rusia, do të ketë ndikim direkt në një pjesë të mediave dhe shoqërisë në Mal të Zi, sidomos nëpërmjet rrjeteve sociale duke targetuar persona specifik që përkrahin politikën e Rusisë. Dhe kjo është shumë e rrezikshme sepse përhap informacione të pavërteta. Nëse rrjetet sociale nuk janë të rregulluara si duhet, dhe fatkeqësisht mendoj se nuk janë askund në botë, atëherë dezinformatat përhapen dhe personat që e bëjnë nuk mund të thirren në përgjegjësi për këtë. Ky është rreziku më i madh.
TV Teuta: Po fatkeqësisht dezinfomimi është një problem global, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor dhe që ka ekzistuar edhe para krizës në Ukrainë. Me siguri do të jetë prezent edhe në të ardhmen. Cili do të ishte sugjerimi juaj drejtuar mediave lokale por edhe mediave të tjera në Mal të Zi, në mënyrë që ta luftojnë këtë fenomen. A është prezenca më e madhe në rrjetet sociale zgjidhje, apo duhet pasur kujdes edhe në këtë drejtim?
Ambasadorja Maddocks: Mendoj se pa marrë parasysh nëse media përdor formën tradicionale të informimit, apo më shumë atë në rrjetet sociale, me rëndësi është që ti kushtohet vëmendje saktësisë të raportimit dhe që të jenë përgjegjës për atë që publikojnë, Gazetarët këtu kanë rolin e tyre, por edhe qeveritë duhet të sigurojnë që institucionet të kenë fuqinë e duhur për të caktuar rregullat e duhura për atë se çka njerëzit shkruajnë apo publikojnë. Sidomos insitucionet gjygjësore, në mënyrë që njerëzit të kenë përgjegjësi për atë se çfarë bëjnë, dhe masat e ndërmarra duhet të shërbejnë si pa parandalim kundër dezinformimit. Por kjo nuk po ndodh. Nuk po ndodh këtu e as në vendet e tjera të botës, sepse është shumë e vështirë të kontrollohet ajo që publikohet në rrjetet sociale.
TV Teuta: Edhe një pyetje të fundit, jo si ambsadore por si qytetare e Mbretërisë së Bashkuar, që keni pasur rastin të qëndroni në vende të ndryshme, e tani edhe në Mal të Zi. A keni vërejtur ndonji dallim në mes qytetarëve të vendit tonë dhe atyre britanikë, në mënyrën se si i përceptojnë mediat? A ju besojnë atyre?
Ambasadorja Maddocks: Varet. Çdo kush është i ndryshëm në qëndrimet ndaj mediave, dhe ka afinitetin e vet personal ndaj politikës. Me siguri ka edhe kanalin e preferuar mediatik. Është e njëtjë edhe në Mal të Zi, me siguri njerëzit kanë një apo dy media të cilat i përcjellin, por unë do të sugjeroja që njerëzi të jenë të vëmendëshëm për qëndrimin politik të medias që ato ndjekin, dhe rregullisht ose me raste, të përcjellin edhe alternativat e tjera. Këtë mundohem të bëj gjatë kohës që jam këtu. Si diplomate dihet të jem objektive, prandaj mudnohem të lexoj mediat që e di se kanë qëndrime të caktuara politike, e pastaj lexoj edhe të tjerat që nuk janë në të njëjtin spektër. Në këtë mënyrë e mbaj mendjen e hapur, por fatkeqësisht e di që jo të gjithë veprojnë kështu. Që të përgjigjem në pyetjen tuaj, është e njëjta gjë edhe në vendet e tjera. Flasim për problemet që mediat kanë në Mal të Zi dhe gjithë Ballkanin, por ato ekzistojnë në nivel global. Nëse lexojmë gazetat britanike, edhe ata në faqen e parë kanë tituj që potencojnë skandale apo tituj të përpiluar për të tërhequr vëmendjen nga një pikëpamje e caktuar politike. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar njerëzit vendosin se cilën media duan të ndjekin duke u bazuar në preferencat e tyre politike. Është problem i njëjtë kudo në botë.
Tv Teuta: Zonja ambasadore, faleminderit për kohën që ndatë sot me ne. Shpresojmë se në të ardhmen do të kemi mundësi përsëri të bisedojmë, jo vetëm për mediat, por edhe për gjëra të tjera pozitive që shpresojmë të ndodhin në Mal të Zi. Edhe një herë faliminderit.