Aktuale Më shumë

H.Hajdari: Në prag të zgjedhjeve lokale në Ulqin

Prej tvteuta12:15, 8 Shkurt 2022

Partitë politike shqiptare duhet të përfillin vullnetin e votuesit të tyre

Zgjedhjet për ushtrimin e pushtetit vendor në Komunën e Ulqinit do të mbahen më 27 mars, ose në ndonjë ditë në muajin maj të këtij viti! S’ka rëndësi kjo. Më rëndësi është se këto zgjedhje do të vënë në sprovë edhe një herë votuesin shqiptar dhe partitë politike shqiptare. Votuesit shqiptar, edhe një herë, sigurisht do të votojë shqip dhe në këtë rast partitë politike shqiptare do të vendosën  në sprovë –  të veprojnë sipas vullnetit të votuasve apo të veprojnë sipas interesave të individeve apo grupeve të ndryshme, gjegjësisht nëse dëshirojnë apo jo të ushtrojnë pushtetin vendor në Komunën e Ulqinit. Siç dihet, para katër viteve, edhe pse i kishin numrat e duhur   për krijimin e shumicës dhe të drejtën e zgjedhjes së të parit të Ulqinit kjo, për çudi të madhe të votuasve të tyre, por edhe të opinionit shqiptarë në p;rgjithësi nuk ndodhi. Me zemërgjerësi të madhe partitë politike shqiptare këtë të  drejtë ia dhuruan PDS-së së Millo Gjukanoviqit.

Nga vështrimi retrospektiv i paraqitjes dhe veprimit të partive politike shqiptare në tridhjetëvitet e kaluara në demokracinë pluraliste do të vërejmë se, sidomos  në marëdhënje me pushtetin shtetëror dhe mundësinë e ndikimit në vendimmarrje dhe realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve  nuk kanë qenë gjithmonë koherente, madje shpeshherë kanë qenë diametralisht të kundërta. Pothuajse gjithmonë kanë prevaluar interesat e ndonjë partie, mbase edhe të individeve të caktuar, mbi interesat e përbashkëta qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. Dhe e gjithë kjo, sipas mendimit tim, si rrjedhojë e mospergjegjësisë dhe mungesës së një platforme të përbashkët politike dhe të një platforme të veprimit politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Akti i parë – Fillimi i bashkëpunimit me partinë-shtet

Fillimet e prularizmit politik në Mal të Zi, shqiptarët i përjetuan si një shkëputje nga e kaluara e hidhur nën sundimin jugosllav, Fillimet e pluralizmit reflektonin shpresë për një të ardhme më të mire, si në aspektin politik ashtu edhe ekonomik. Si rrjedhojë lindi partia e parë politike shqiptare – Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Menjëherë pas fitores brilante të kësaj partie në zgjedhjet e para pluraliste lindën apo dolën në pahë lakmitë apo synimet këmbëngulëse të disa individëve apo grup individësh që kishin dëshirë të fortë për lavdi personale për pozitë apo pushtet. Ky synim s’kishte qëllim tjetër veç se dëshirën për t’i ndaluar  të tjerët (ata që ishin në pushtet dhe në krye të partisë) për të dalë në çdo mënyrë mbi ata në përpjekje për të arritur qëllimin e tyre. Si rrjedhojë, pasi kishin kaluar vetëm diçka më shumë se dy vite nga dalja në dritë e partisë së parë politike shqiptare, lindi partia e dytë politike – Unioni Demokratik i Shqiptarëve. Kjo, sikur të ekzistonte bashkëpunimi i sinqertë në mes të këtyre dy partive, nuk do të kishte asgjë të keqe. Madje disa shpresonin se kjo mund të ishte pozitive dhe do të mundësonte integrimin më të shpejtë kombëtarë të popullsisë shqiptare në Mal të Zi. Por, si do të shohim më vonë, kjo nuk ndodhi.

Pas zgjedhjeve të vitit 1988, diferencat politike ndërmjet të këtyre partive u thelluan edhe më tepër. Qasja politike e këtyre dy partive politike në lidhje me zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi ishin diametralisht  të kundërta. Përderisa LDnëMZ-ja mbante qëndrimin se mënyra e vetme për zgjidhjen e çështjes shqiptare  është rregullimi dhe garantimi i të drejtave kombëtare me Kushtetutën e Malit të Zi dhe në asnjë mënyrë nëpërmes institucioneve qeveritare qoftë edhe nëpër mes një ministrie të veçantë. UDSH-ja përkrahu mendimin e partisë në pushtet – PDS-së për krijimin e Ministrisë së Pakicave. Si rrjedhojë UDSH-ja, edhe pse kishte fituar votat e vetëm të 39% të trupit zgjedhor shqiptar përkundër 61% që kishte fituar LDnë MZ-ja, u bë pjesë e Qeverisë së Malit të Zi dhe mori postin e ministrit në Ministrinë e Pakicave. Rezultatet dihen, por sa ka ndihmuar kjo ministri në zgjidhjen e çështjes shqiptare në Mal të Zi duhet të gjykojë votuesi shqiptarë!

Pas këtyre diferencimeve në mendime dhe qëndrime përseri dolën në pah synimet këmbëngulëse të disa individeve apo grupeve individesh që kishin për qëllim ngritjen e pozitës së tyre dhe pushtetin, sigurisht jo interesat e shqiptarëve në përgjithësi. Si rrjedhojë, në skenën politike shqiptare, deri me sot, në Mal të Zi marshuan apo defiluan jo më pak se 12 apo 13 parti e grupe qytetarësh. Çmenduri apo turp, quaje si të duash! Ndërkaq dikush mund të mendojë si diçka pozitive, por pozita kushtetuese-politike e sidomos ekonomike e shqiptarëve në Mal të Zi nuk u përmirësua dot.

Akti i dytë – Shtrirja e bashkëpunimit të panevojshëm me partinë-shtet ne nivelin local

Përveç mosmarrëveshjeve dhe qëndrimeve të kundërta si në aktin e parë, me formimin e shumë partive politike filluan edhe kundërthëniet dhe qëndrimet e ndryshme në lidhje me ushtrimin e pushtetit vendor. Në zgjedhjet locale të vitit 2006 partitë politike shqiptare fituan besimin e 10.234 votuesve (LDnëMZ 4.373, UDSH 3.692. Forca 2.169), pra vota të mjaftueshme që partitë shqiptarepër të krijojnë pushtetin vendor në Ulqin. Por ambiciet e veçanta të individëve apo grupe të individëve bënë që UDSH-ja e përkrahur nga 4 këshilltarë të PPD-së, për herë të parë të krijojë shumicën dhe pushtetin vendor me Partinë Demokratike Socialiste  të Millo Gjukanoviqit, duke lënë jashtë dy partitë shqiptare – LDnëMZ-en dhe Forcën Demokratike, që kishin marrë besimin e 63,93 % të votuesëve shqiptarë. Ky koalicion jo i natyrshëm, përçarës dhe, si do rrjedhin gjërat, jo efikas nuk do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të komunës së Ulqinit. Përkundrazi, stagnimi zhvillimor dhe varfëria e qytatarëve ishte gjithnjë më i dukshëm. E kështu vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite.

Edhe me keq se kaq do të ndodhë pas zgjedhjeve locale të vitit 2018. Të gjitha partitë politike shqiptare së bashku kishin fituar mandatet e duhura për krijimin e pushtetit vendor. Por, edhe pse nuk kishin nevojë,  për çudi edhe të votuesëve të tyre, por edhe të opinionit të gjërë shqiptarë, krijuan koalicionin së bashku me PDS-në. Madje me zemëtgjërësi të pa parë, kësaj radhe edhe të parin, pra kryetarin e komunës e zgjodhën nga radhet e kësaj partie. Ishte ky veprim i mashtrimit të votuesit shqiptar dhe tjetërsim i vullnetit të shumicës.

Disa menduan se me instalimin e PDS-së në krye të pushtetit vendor në Ulqin do të fillonte edhe zhvillimi më i shpejtë i kësaj komune bregdetare, sëpaku  proporcionalisht me resurset e shumta natyrore që Zoti ia fali. Kësaj radhe, zhgënjimi i popullsisë së Komunës së Ulqinit  ishte më i madh. Asnjë investim madhor ekonomik apo infrastructural në këto katër vite. Agonia zhvillimore ekonomike vazhdon, varfëria e popullsisë po thellohet, papunësia apo nepotizmi në punësim gjithnjë e më shumë po  thellohet dhe si rrjedhojë boshatisja e këtyre trojeve nuk ka të ndalur.

Në 30 vitet pushtet në Mal të Zi dhe jo më pak se 13 vite në pushtet në Ulqin, PDS-ja arriti të shkatrrojë ekonomin e Ulqinit, shkatrroi objektet më të mira turistike dhe kurrë nuk i rindërtoi ato, shkatrroi dhe devastoi pa ndalim e mëshirë Kriporen e Ulqinit, Agroulqinin e shumë ndërmarrje të tjera. Si rrjedhojë, në bazë të indexit zhvillimor të NJLV në Mal të Zi, Ulqini është komuna më e pazhvilluar në bregdetin malazez dhe renditet si e dymbdhjeta në Mal të Zi! A nuk ishin të mjaftueshëm këto dhëna për partitë politike shqiptare para se krijuan koalicionin me PDS-në!?

Apo, a pritnin se do të ndodhin çudira në zhvillimin ekonomik të Ulqinit sidomos pasi kryetari i porsazgjedhur i komunës kishte deklaruar: “Unë jam këtu për të siguruar pagat e punëtorëve ndërsa për investime kapitale është Qeveria” !  Pra, Qeveria e Gjukanoviqit që ishte në pushtet, deri atëherë, plotë 26 vite! A thua nuk e dinin se “ujku qimen e ndërron por vesin jo”. Si do të investojë në një komunë ku nuk kishte investuar gjatë gjithë asaj kohe?!. Shqiptarët e dinin këtë argument ndaj edhe votuan partitë politike shqiptare për të krijuar pushtetin vendor në Ulqin, ashtu si pak më vonë do të ndodhte në Malësi, ku të gjitha partitë shqiptare u bashkuan dhe krijuan pushtetin vendor pa PDS-en.

Gabimin e bërë, edhe pse me vonesë, e hetoi ( athua s’e kishte ditur!) Forca Demokratike, reflektoi dhe doli nga ky koalicion jonatyral dhe joefikas. Pra, për ngecjen në zhvillimin ekonomik e kulturor të Komunës së Ulqin pa mëdyshje përgjegjës janë edhe partitë politike shqiptare në koalicion me PDS-në. Ato e dine dhe duhet të dinë se përveç interesave të disa individëve nuk kanë arritur të realizojnë ato për çka i ka autorizuar populli me votën e vet, as në aspektin zhvillimor dhe as atë të përfaqësimit, ndonëse ka edhe ndonjë të arritur me interes të përgjithshëm.

Akti i tretëKoha për ndërgjegjësim dhe reflektim

Zgjedhjet janë shpallur.Në 30 vitet e kaluara populli shqiptar, kryesisht, ka gjykuar drejt, duke votuar partitë shqiptare. Kjo obligon politkanët shqiptarë dhe u bënë thirje për ndërgjegjësim. Koha është për reflektim ashtu që partitë politike duhet të veprojnë në frymën e  vullnetit të shprehur të votuesit, pra vullneti i tyre nuk duhet të tjetërsohet. Në të kundërtën, vota e popullit në një kohë të caktuar do t’i ndeshkojë.  Populli me votën e vet duhet të flasë edhe njëherë.

Deri atëherë po presim!

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio