Opinion Më shumë

Gjekë Gjonaj: A (s’) janë shqiptarët e denjë të qeverisin me Ulqinin

Prej tvteuta18:57, 7 Shkurt 2018

Ethet paszgjedhore

Ulqini të dielën e kaluar mbajti zgjedhjet lokale të radhës.  Nga rezultatet paraprake të Komisionit Zgjedhor Komunal qytetarët e kësaj komunë  me të drejtë vote,  edhe kësaj herë si çdo herë deri më tani, votuan shqip. Votëbesimin   ua  dhanë subjeteve të tyre  të preferuara politike. Thënë me gjuhën e statistikës u siguruan  atyre  19 ulëse në përbërjen e re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit.  Me këtë veprim  civilizues dëshmuan  pjekurinë e tyre politike për t’u mundësuar shqiptarëve   të qeverisin me Ulqinin katër vitet e ardhshme.

Dhe derisa sovrani e tha fjalën  e vet.  Tani mbetet në partitë politike shqiptare Forcën (9 këshilltarë), Unionin Demokratik të Shqiptarëve (3 këshilltarë)  dhe Koalicionin “ Zgjohu Ulqin” ( 7 këshilltarë) të përbërë nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe Iniciativa Qytetare “ Perspektiva”, që të dëgjojë zërin e qytetarëve.  Të bëjnë atë që nuk arritën ta bëjnë para zgjedhjeve. Të kalojnë vetveten. T’i lënë interesat personale. T’i harrojnë mosëmarrëveshjet.  Mëritë. Mllefet. Inatet. Intrigat e kaluara   dhe të bëhen bashkë këto parti ,  që të formojnë një koalcion serioz, stabil e të  qëndrueshëm .

Ndërkohë partitë shqiptare  në Ulqin, sikurse edhe në të gjitha trevat tjera shqiptare në Mal të Zi, vazhdimisht kritikohen me të drejtë për mungesë bashkëpunimi dhe për mosarritjen e një uniteti të përbashkët. Ato  për fat të keq ende vazhdojnë të jenë të përçara dhe shumë keq të çara në mes vete sa kjo duket  se  është e pamundshme. Megjithatë,  mbështetësit e tyre duan  të besojnë se liderët e  partive të përmendura shqiptare  do ta kuptojnë se me teke nuk ecet në politikë. Dhe,  se pikërisht mund të jenë ata që të ulen në tavolinë.  Të bashkëbisedojnë e të shtrijnë dorën e pajtimit , duke  lidhur besën me njëri-tjetrin  dhe të tregojnë fuqinë e kombit shqiptar për të marrë timonin e drejtimit dhe të zhvillimit në këtë komunë.

Këtë “besëlidhje” të re të partive politike shqiptare  e presin me padurim  të gjithë bashkëqytetarët  dhe  bashkëkombësit e tyre brenda dhe jashtë vendit. Kjo do të ishte formula më e mirë dhe modeli më i preferuar për të zgjidhur ethet paszgjedhore në këtë komunë dhe për të zgjidhur dilemën se a janë apo jo shqiptarët e denjë dhe të gatshëm  për të qeverisur me Ulqinin.

Partitë politike shqiptare në këtë komunë duhet të arrijnë të unifikojnë interesat dhe qëndrimet e veta politike e  në asnjë mënyrë  të ndahen disa në pushtet e disa në opozitë. Sepse asisoji ujin e çojnë në mullirin e huaj dhe  do të  merren veçse me njëra-tjetrën, duke harruar popullin shqiptar që ua dha votën  dhe nuk i ndëshkoi  për dështimet e tyre të deritashme. Pra ,   subjektet nacionale shqiptare le të jenë bashkë, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë.  Bashkimi bën fuqinë. Dhe kjo fuqi  është fitore.

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio