Nga Eva Gjura
Këshilltari i presidentit Nishani për çështjet e rajonin Flamur Gashi, komenton zhvillimet më të fundit në rajon. Në një intervistë për ‘tesheshi.com’, z. Gashi duke u ndalur tek Kosova dhe situata politike atje, nënvizon faktin se dialogu politik është ai që zgjidh çdo ngërç dhe jo djegiet e institucioneve apo protestat e dhunshme.
Sipas tij, eskalimi i protestave nuk i shërben Kosovës, e cila ka si synim ndërtimin e shtetit, forcimin e institucioneve,për të ecur para drejt rrugës euro-atlantike.
Lidhur me qëndrimet politike të Shqipërisë, z. Gashi thekson se nuk duhet të përdoren politike preferenciale, por të mbështetet rruga e bashkëbisedimit politik.
Duke u ndalur tek situata në Maqedoni, këshilltari Gashi, thekson se partitë politike atje duhet të kenë disa paketa të përbashkëta, të cilat janë në interes të shqiptarëve në Maqedoni.
Sipas tij, fragmentarizmi i politik nuk është asgjë e mirë.
Kosova po kalon një situatë të tensionuar politike. Opozita kërkon largimin e kësaj qeverie dhe zgjedhje të parakohshme. A është kjo rruga e duhur?
Se cila është rruga e duhur për të ndryshuar qeverinë në Kosovë, e dinë qytetarët e Kosovës dhe partitë politike që funksionojnë në Kosovë, por mbi të gjitha është në interesin e Kosovës që të ketë një dialog të mirëfilltë politik, të zhvillohen bisedime mes pozitës dhe opozitës, të ulen gjakrat dhe të gjendet zgjidhjet e duhura, besojmë se nuk janë të pamundura zgjidhjet, por problemi kryesor është të ulen në tavolinë për bisedime.
Kujt i shërben kjo situatë?
Askujt. Situata e tensionuar nuk i shërben askujt në Kosovë, as qeverisë as opozitës, aq më pak i shërben interesave të Kosovës dhe zgjidhjes së problematikave që ka Kosova drejt liberalizimit të vizave, drejt integrimit Europian, drejt bisedimeve me Serbinë për zgjidhjen e problematikave të ndryshme, qofshin ato problemeve teknike, të cilat i shqetësojnë shumë qytetarët e Kosovës.
Ka deklarata se ky tension çoj unë në burimin serb …?
Këto janë deklarata hipotetike, çdo herë ndodhin këto deklarata. Unë këtë nuk e di, sepse këto janë punë të specializuar të institucioneve të tjera që merren me këtë punë, por sido që të jetë nuk është në të mirën e Kosovës. Që të jeni të qartë dhe korrekt deri në fund, protesta janë një zhvillim demokratik, janë një pozitivitet për shoqërinë, një e mirë e shoqërisë, sepse do të thotë që qytetarët janë të interesuar për gjëra më të mira, por eskalimi i protestave në dhunë është problematike dhe duke pasur parasysh që Kosova është akoma një shtet fragjil. Kosova është shtet në ndërtim e sipër në forcim të institucioneve dhe në fund të fundit të gjitha këto objekte që po digjen dhe po dëmtohen janë të shtetit të Kosovës dhe e gjitha kjo shkon në dëm të Kosovës, është një pasqyrë jo e mirë që mund t’i bëhet Kosovës jashtë, por edhe qeveria edhe opozita duhet të gjejnë rrugët e bisedimit, më kryesorja është të ulen dhe të bisedojnë.
Çfarë duhet të bëjë klasa politike në Kosovë për të dalë nga kjo gjendje dhe për t’iu kthyer një politike normale?
Bashkëbisedimi dhe tempulli i fjalës së lirë është parlamenti. Të hyjnë në parlament dhe të masin forcat , ka mocione mos besimi ndaj qeverisë, të provohet të rrëzohet qeveria, të kërkohen zgjedhje të parakohshme, të gjitha rrugët e mundshme, por të mos përdoret dhuna, të ruhen jetët e njerëzve dhe objektet qofshin ato shtetërore apo private. Ka mënyra të ndryshme për të shkuar tek zgjidhja e problematikave, por të shohin dialogun si mundësinë më të mirë. Dialogu mes opozitës dhe qeverisë është më kryesorja për kapërcimin e çdo ngërçi, sepse mos bashkëbisedimi i tyre dhe nga keqinterpretimi i deklaratave të ndërsjellat kanë ardhur deri këtu. Qytetarët mesa shikohet nuk janë të qartë fare as për vijën e Demarkacionit me Malin e Zi, por as për Asocacionin e komunave ku janë shumicë serbët. Kjo është detyrë e qeverisë të qartësojë deri në fund sesi janë këto problematika dhe është detyrë dhe obligim i saj. Gjithashtu edhe opozita është normale t’i përdorë për qëndrimet e veta, por Kosova ka specifika të tjera, nuk duhet të keq përdoren gjërat.
E pengon kjo Kosovën për të ecur drejt rrugës euro-atlantike?
Normalisht që e pengon, sepse çdo destabilitet pengon rrugëtimin e shpejtë drejt strukturave euroatlantike. Të gjithë miqtë tanë në aleatët e Shqipërisë dhe të Kosovës kërkojnë që të ketë qetësi edhe stabilitet, por të ketë edhe zhvillim demokratik të institucioneve, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Të ketë edhe një lloj llogaridhënie e institucioneve qeverisëse ndaj qytetarëve qoftë ndaj opozitës. Nuk duhet ta marrim këtë si të mirëqenë, se ne kemi rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe qeveritë mund të bëjnë çfarë të duan. Problemi është që të ketë një korrektësi në llogaridhënie në kërkesat, por edhe në zbatim nga qytetarët, gjithashtu edhe opozita në rastin konkret në Kosovë të jetë e informuar për të gjitha ato që bën qeveria, edhe për bisedimet. Duhet të funksionojë qoftë tryeza e presidentes znj. Jahjaga, qoftë parlamenti, ka institucione që duhet ta funksionalizojnë bashkëbisedimin mes faktorëve politik vendimmarrës në Kosovë.
Haradinaj ka zhvilluar një takim me kryeministrin Ramën në Tiranë. Si e lexoni ju këtë takim?
Nuk e di sesi ta lexoj. Mund të jetë edhe takim miqësor. Nuk di të ketë ndonjë deklaratë për shtyp nga qeveria shqiptare për këtë takim, por sido që të jetë, bashkëbisedimi institucional është mëse i nevojshëm dhe roli kryesor i Shqipërisë dhe institucioneve këtu do të ishte që tani për tani të mos ketë politika preferenciale ndaj dikujt apo dikujt tjetër në Kosovë. E mira e të mirave do të ishte që Shqipëria zyrtare të ketë një qëndrim zyrtar, institucional për gjithë situatën në Kosovë. Politikat preferenciale nuk na çojnë askund. Ne duhet t’i bindim që të respektohen institucionet dhe të bashkëbisedohet më institucionet dhe t’i dërgohet edhe opozitës mesazhi në mënyrë institucionale. Nuk ka vend për politika preferenciale. Ne duhet të përkrahim dhe të përshëndesim çdo veprimtari institucionale pafragmentuar në Kosovë dhe në rajon ndaj shqiptarëve.
Politika në Maqedoni është përfshirë në një debat të nxehtë lidhur me zgjedhjen duket se nuk po gjejnë konsensus as për datën. Çfarë po ndodh?
Të themi të drejtën i gjithë rajoni është në një vorbull të tillë. Kemi kërkesën për zgjedhje të parakohshme në Serbi nga ana e kryeministrit Vuçiç, kemi dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski në Maqedoni dhe caktimin e zgjedhjeve të parakohshme që akoma nuk është caktuar nëse do të mbahet me 24 prill apo në ndonjë datë tjetër, por brenda gjashtë mujorit të parë do të mbahen zgjedhjet. Kemi zgjedhjet që do të mbahen në Mal të Zi, kemi kërkesë për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, kemi kërkesë për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri, pra në të gjithë rajonin kemi një lëvizje që pritet një pranverë zgjedhjes. Këtu problemi është tek shqiptarët. Ky është roli i shqiptarëve këtu. Shqiptarët në Maqedoni duhet parë sa do të fitojnë në këto zgjedhje. Fragmentarizmi i shqiptarëve në Maqedoni në disa parti vetëm dëm ju bën, pluralizmi është i mirë, por shkapërderdhja e votave me këtë sistem elektoral që është në Maqedoni, nga maksimumi që shqiptarët mund të marrin rreth 30 apo 32 deputetë, kam frikë se do të bien me 20-22 deputetë. Pra duhet të shohim si ne mund të përfitojmë sa më shumë, qoftë shqiptarët në Maqedoni si popull shtet-formues, qoftë shqiptarët në Malin e Zi, apo në Luginën e Preshevës si minoritete etnike.
Megjithëse shqiptarët në Maqedoni janë shumicë shtet-formuese, nuk arrijnë të kenë vlerësimin dhe nivelin e përfaqësimit ashtu siç duhet…?
Çdokund duhet të ketë disa piketa. Edhe shqiptarët në Maqedoni duhet të kenë 5-6 piketa të tyre, që të gjitha partitë politike duhet t’i kenë interesa të përbashkëta, që janë interesa jetike për shqiptarët në Maqedoni. Pastaj nuancat ndryshojnë. Në qoftë se arrijnë që partitë politike shqiptare në Maqedoni të kenë në axhendën e tyre 5-6 kërkesa që duhet t’i plotësojnë për të mirën e qytetarëve shqiptarë autokton në trojet e tyre në Maqedoni, por edhe për të mirën e të gjithë shtetasve të Maqedonisë dhe pastaj pjesa tjetër është pjesë e pluralizmit politik. Gjithkush kërkon të fitojë më shumë, por të mos kemi lëvizje nga 5-6 pikat kryesore. Ky është problemi. Është absurde të mendohet që të dalin të gjithë me një zë, sepse nuk është monizëm,është absurde të mendohet se nuk duhet të ketë parti politike , por duhet të ketë një shtyllë një bosht rreth të cilit duhet të sillemi. Krejt situatë tjetër është në Kosovë, në Shqipëri. Absolutisht krejt situatë tjetër në Luginën e Preshevës , është situatë tjetër në Mal të Zi. Gjithkund janë specifike. Kosova dhe Shqipëria janë shtete të pavarura. Ne duhet të shohim me sy tjetër situatën në Maqedoni, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës.
Po të hedhësh një sy të përgjithshëm shikon se ku ka shqiptarë ka situata të tensionuara politike, e kemi problemin ne si komb apo çfarë?
Jo nuk është kështu problemi. Ne e njohim dhe shohim më mirë situatën politike tek shqiptarët dhe nuk e shohim tek të tjerët, afërsisht kështu është edhe tek popujt e tjerë. Por është një gjë e mirë që ne e vërejmë kështu, sepse duam më të mirën dhe duhet të bëjmë më të mirën e mundshme. Ne si shtet jemi relativisht i ri 103 vjet shtet, Kosova është fare shtet i ri, kemi problem me respektimin dhe ndërtimin e institucioneve. Mbi të gjitha ne duhet të mësohemi edhe si shtetar edhe si qytetar t’i respektojmë institucionet, jo vetëm ta respektojmë, por të marrim edhe përgjegjësitë kur jemi në drejtim të institucioneve. Problemi i ndryshimit të qëndrimeve nga kur jemi në opozitë dhe kur arrijmë në pushtet është problem i madh. Kështu që ne do të kemi sukses vetëm atëherë kur arrijmë që të bëjmë një balancë mes punës që bën dhe llogaridhënies. Institucionet tona qeverisëse duhet të arrijnë që të japin llogari për punën e bërë dhe punën e pa bërë në krye të shtetit dhe jo të shohim sesi të uzurpojmë qeverinë dhe postet qeverisës. Shteti nuk është çiflig i askujt .
Kjo do të thotë që të keqen e kemi tek vetja?
Absolutisht nuk na e ka fajin askush, të gjithë ne që punojmë në institucione shtetërore jemi të mandatuar nga qytetarët për t’ju shërbyer qytetarëve dhe ne duhet t’ju japim llogari atyre. Ka rregulla për çdo njërin prej nesh sesi funksion posti shtetërore. Duhet të respektojmë rregullat demokratike. Të dimë të lexojmë votën e qytetarëve, problemi është se menjëherë sapo hipim në post ne harrojmë të lexojmë votën e qytetarëve. /tesheshi.com/