Aktuale Më shumë

Fillon vaksinimi me vaksinën HPV për vajzat nga mosha 9 vjeçare

Prej tvteuta17:31, 30 Shtator 2022

Vaksinimi kundër infeksionit HPV (human papilloma virus) filloi për herë të parë në Mal të Zi më 26 shtator dhe vaksinat e para u bëhen vajzave nëntë vjeçare. HPV është një nga shkaqet kryesore të kancerit të qafës së mitrës, i cili është një nga pesë shkaktarët kryesorë të sëmundjeve malinje tek gratë në Mal të Zi. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore të Ulqinit, dr.Sadije Hollaj, tha se në dërgesën e parë kanë mbërritur 60 doza të vaksinave dhe se për marrjen e vaksinës nuk kërkohet referim nga pediatri i përzgjedhur.

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në Mal të Zi në një vit janë regjistruar 106 raste të reja të zbuluara me kancer të qafës së mitrës, nga të cilat 46 gra kanë vdekur. Vaksina është më efektive sa më herët të merret dhe është më efektive në moshën 9-13 vjeç.

Me vaksinimin kundër HPV, Mali i Zi iu bashkua rreth 100 vendeve në botë që përdorin këtë vaksinë efektive dhe shumë të sigurt për 15 vjet. Virusi HPV është një virus shumë i përhapur në popullatë. Besohet se shumica e njerëzve seksualisht aktivë janë të infektuar me këtë virus në një moment të jetës së tyre, dhe gratë janë më shpesh të infektuara.

Më shumë për fillimin e vaksinimit dhe arsyet pse prindërit duhet të vaksinojnë vajzat e tyre, ndiqeni sonte në emisionin “Kronika e Ulqinit”, nga ora 20 e 30 minuta.

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio