Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Malin e Zi
Prej tvteuta20:26, 2 Shtator 2023
Në Kalanë e Ulqinit sot me datën 2 shtator 2023 u mbajt përurimi i projektit “Digjitalizimi i gjuhës shqipe në Malin e Zi”.
Për gjuhën shqipe në Mal të Zi deri më tani nuk ka pasur Fjalor të madh shpjegues, as Fjalor të madh drejtshkrimor, nuk ka pasur softuer për sinonime dhe antonime, nuk ka pasur korrigjues sintaksor për MS Office. Por, nga sot procesi i mësimdhënies në gjuhën shqipe do të jetë më i suksesshëm, me futjen në përdorim të Kullës së shqipes.
Kjo ngjarje organizohet nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave. Ministri Fatmir Gjeka me bashkpuntoret e tij Arben Xhurreten dhe Astrit Hoxhen..Ai tha:
“Përmes këtij projekti, ne si parti politike shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi dëshmojmë angazhimin tonë për përparimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e identitetit të shqiptarëve, si një program politik i mirëfilltë, duke sjellë afër secilit qytetar të Malit të Zi softuerin Kulla e shqipes. Ai gjithashtu tha se pa mbështetjen e kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazoviq realizimi i këtij projekti nuk do të ishte i mundur”.
Gjatë fjalimit të tij ministri Gjeka foli edhe për gjendjen e deritashme, duke shtuar se:
Për gjuhën shqipe në Mal të Zi deri më tani nuk ka pasur Fjalor të madh shpjegues apo drejtshkrimor, në administratën shtetërore, edhe në shkollat shqipe kanë munguar këto vepra shkencore, por, nga tani e tutje do të jetë ndryshe, sepse procesi i mësimdhënies në gjuhën shqipe do të jetë më i suksesshëm, me futjen në përdorim të këtyre veprave shkencore digjitale për gjuhën shqipe.
Ministria jonë në bashkëpunim me kompaninë Albasoft është përgjegjëse për zbatimin e projektit dhe tashmë kemi filluar shpërndarjen përmes internetit të softuerit më të përparuar për gjuhën shqipe, që përbëhet nga:
– Softueri për korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore;
– Softueri për korrigjimin e gabimeve sintaksore;- Softueri i morfologjisë digjitale;
– Softueri për mësimin e gjuhës shqipe etj.
– Tastiera digjitale, për përdorimin e plotë të alfabetit të gjuhës shqipe.
Në emër të Këshillit Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe foli drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës z. Hysen Matoshi, i cili u shprehu mirënjohje institucioneve të Malit të Zi: “Faleminderit Qeverisë së Malit të Zi për vlerësimin e duhur të këtyre veprave shkencore dhe shpërndarjen e tyre falas për të gjithë qytetarët e Malit të Zi. Besojmë që Kulla e shqipes do ta lehtësojë dhe do ta përparojë edhe më shumë përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.”
Drejtori i kompanisë përgjegjëse për këtë projekt z. Ernest Culaj tha: “Të gjitha këto vepra shkencore që u përmendën, janë arritur me një veprimtari të palodhur më shumë se 25-vjeçare. Kemi punuar duke i zbatuar parimet dhe arritjet e gjuhësisë kompjuterike bashkëkohore, dhe vetëm kështu është arritur krijimi i këtij softueri, i Kullës së shqipes, e cila mund të instalohet për disa minuta në pajisjen përkatëse kompjuterike apo në telefon.
Në këtë përurim morën pjesë edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar Shkencor për gjuhën shqipe, në përbërje:
Prof. dr. Enver Hysa, Prof. asoc. Adelina Çerpja, Prof. asoc. Anila Çepani, Prof. dr. Hysen Matoshi, Prof. dr.
Mustafa Ibrahimi, Prof. dr. Asllan Hamiti, Prof. dr. Bahri Koskoviku, Prof. dr. Ismet Osmani, Kryetari i komunës së Ulqinit z. Omer Bajraktari, profesorë, gjuhëtarë, e shumë personalitete tjera nga jeta politike e
shoqëria civile.
Kjo ngjarje ishte e hapur për publikun, i falënderojmë të gjithë qytetarët dhe mediat e Malit të Zi që morën pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptar.
Sinqerisht,
Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave