Dështimi i dialogut në Bruksel – Mirosllav Lajçak: Keqardhje që s’u mbajt takimi trepalësh
Prej tvteuta13:23, 18 Shtator 2024
Takimi trilateral në Bruksel i iniciuar nga BE ka dështuar. I ngarkuari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk arriti t’i bindë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë që të ulen së bashku në një tryezë. Lajçak, takoi njëri pas tjetrit në Bruksel kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, por që të dy kishin mospajtime për temat e diskutimit.
Në një shkrim në X, Lajçak shkroi se ndihej I keqardhur që nuk mundi t’i adresonte çështjet më të rëndësishme në një takim trepalësh. Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, tha se takimi me Petkoviç dështoi sepse sipas tij, “Serbia e kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të veta dhe të papranueshme për Kosovën”.
Pala serbe ka insistuar që tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të jetë pjesë e dialogut, por, sipas Petkoviç, pala kosovare po e refuzon një gjë të tillë. Ai u shpreh pas takimit, se i kishte dorëzuar një Lajçak një listë të serbëve të arrestuar, të cilët I ka cilësuar si të ‘burgosur politikë’ dhe për mënyrën se si po jetojnë serbët në veri të Kosovës.
Javën e kaluar presidenti i Serbisë, kërkoi rikthimin e gjendjes së mëparshme në veri të Kosovës, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale, formimin e drejtorisë rajonale të policisë dhe kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në vendet e tyre të punës.