Çka mund apo duhet të presin shqiptarët nga qeveria e pakicës?
Prej tvteuta13:55, 19 Maj 2022
ÇKA MUND APO DUHET TË PRESIN SHIPTARËT NGA QEVERIA E PAKICËS?
Qeveria e 43-të, ose Qeveria e pakicës së Malit të Zi paralajmëroi se qeverisjen do ta bazojë në dy shtylla kryesore: sundimi i ligjit dhe zhvillimin ekonomik. Edhe qeveria e kaluar ( e 42-ta) pjesë e të cilës ishte edhe kryeministri aktual, por edhe qeveritë para saj, kanë proklamuar të njëjtat parime qeverisëse. Madje qeveria e kaluar u deklarua si Qeveri ekspertësh. Epilogu dihet.
Qeveria e pakicës – Qeveri politike
Për një shtet të vogël apo me një nivel të zhvillimit ekonomik si Mali i Zi, kabineti qeveritar me 20 ministra s’ka dyshim se, në rrethana normale, është tepër i madh dhe i pajustifikueshëm.”S’ia vlen barra qiranë” do të thoshte populli. Por, nëse kjo i shërben qëllimit atëherë edhe mund të sjellë rezultatet e pritura. Skena politike në Mal të Zi është shumë e ndarë dhe jostabile, ndërsa partia politike URA si iniciatore dhe bartëse e aktiviteteve për themelimin e qeverisë pakicë ka një potencial të vogël në vendimmarrje. Kjo ishte edhe arsyeja që të kërkohet përkrahja pakushte e partisë deri dje në pushtet, aq të kritikuar por edhe e ngarkuar me kourupsion ekonomik dhe politik, nepotizëm e shumë çka negative për qeverisjen e saj. Për të zbutur sadopak ndikimin e DPS-it në qeverinë e ardhshme, i mandatuari për krijimin e Qeverisë së pakicës ishte i detyruar që në qeveri të thërrasë parti të spektreve të ndryshme politike, të majtë e të djathtë, shqiptarë, bashnjakë e serbë.
“Duke marrë parasysh numrin e partive, ajo është një qeveri shumë e gjërë dhe potencialisht e paqëndrueshme…” deklaroi para disa ditësh Pol Mekarti, drejtor për Evropën në Institutin Republikan Ndërkombëtarë Amerikan (IRI). Duke u nisur nga laramanitë e cekura të kësaj qeverie, ajo më të vërtetë s’është tjetër veç se një qeveri politike, mandati i të cilës nuk duhet të zgjasë më shumë se një vit. Sa do të jetë e sukseshme mbetët për të parë. Gjithësesi programi i paraqitur i qeverisë ngjallë shpresë se diçka do të realizohet.
Luftimi i korrupsionit
Luftimi i korrupsionit dhe veprimi i shtetit ligor janë dy sfidat kryesore të Qeverisë së re. Korruptimi në shoqërinë malazeze i ka rrënjët e thella dhe pothuajse ka përqafuar të gjitha sferat e jetës së përditshme. Kryemininistri ka premtuar se në këtë drejtim sëpari do t’ia paraqesë për aprovim Kuvendit të Malit të Zi Ligjin mbi origjinën e pasurisë. S’do mend ligj shumë i rëndësishëm. Dua të kujtoj se ky ligj ka ekzistuar edhe në kohën e komunizmit, por asnjëherë nuk ka funksionuar. Dhe dihet pse? Sepse ato që është dashtur të sigurojnë zbatimin e tij, kanë qenë vetë ata që i ka prekur ky ligj dhe prandaj rezultati ka qenë zero (0). Krahasimet nga njëherë nuk janë reale, por kur mendojmë se Ligji për origjinën e pasurisë prekë, pikësëpari, elitën e deridjeshme dhe përkrahësit kryesor të Qeverisë së pakicës, atëherë me të drejtë na lind dyshimi i zbatueshmërisë së tij. A do të gjejë mirëkuptimin e qeverisë së re oportunizmi i mundshëm i pushtetarëve të djeshëm ose hapësira e lënë nga ata a do të jetë e mjaftueshme për zbatimin e ligjit në fjalë?! Prandaj ky ligj, para se të shkojë në Kuvend duhet të analizohet e peshohet mirë për të mos shijuar dëshpërimin!
Kontrata bazë me KOS-in
Në aspektin politik, Kryeministri si një ndër detyrat e para ka cilësuar nënshkrimin e Kontratës bazë me Kishën Ortodokse Serbe (KOS). S’e kuptoj pse gjithë ai nxitim për një veprim të tillë! Me bashkësitë tjera fetare në Mal të Zi, po ashtu ekzistojnë marrëveshje të caktura me shtetin, por rishqyrtimi i tyre nuk përmendet. Kontrata bazë me KOS-in, në pjesëm ku bëhet fjalë për pronësinë, prekë interesat e komunitetin shqiptar – fetar dhe kombëtarë. Kryeministri duhet të ketë parasysh, para se gjithash, veprimet parmanente e në vazhdimësi të KOS-it për përvetësimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, e veçanërisht për zaptimin e pronave dhe devastimin e objekteve fetare në goricat (ishujt) e liqenit të Shkodrës.Është botërisht e njohur se këto gorica së paku nga koha e Republikës së Venedikut dhe gjatë sundimit osman, Mbretërisë Malazeze dhe jugosllave, madje edhe në Jugosllavinë socialiste, deri në vitin 1984, kur është themeluar Parku Nacional “Liqeni i Shkodrës” kanë qenë në pronësi ose i kanë shfrytëzuar për nevojat e veta fshatrat shqiptare kranjane që gravitojnë në afërsi të tyre. Për këtë pohim ekzistojnë dokumente të shumta arkivore. Nëse Parku Nacional është i mbrojtur nga shfrytëzimet e paligjshme dhe ndërtimet e egra atëherë më të drejtë shtrohet pyetja: Si është e mundur që këto gorica t’u merren fshatrave shqiptare e të kalojnë në pronësi apo edhe në shfrytëzim të KOS-it e t’u lejohet atyre, në sy të botës, të bëjnë devastimin e objekteve sakrale madje të ndërtojnë pa leje edhe objekte të reja?! Nuk dua të besoj që këto fakte nuk i di Dritan Abazi, prandaj ai, para se të nënshkruaje kontratën bazë me KOS-in duhet t’i sqaroje këto relacione, të vejë në zbatim ligjin dhe të marrë masat e duhura.
Rishqyrtimi i procesit të transformimit ekonomik
Në aspektin e zhvillimit ekonomik kryeministri Abazi ka premtuar se do të rishqyrtojë procesin e transformimit ekonomik i cili më të drejtë mund të konsiderohet i dështuar dhe shkattrues. Kjo duhet të jetë sfida kryesore, sepse ballafaqimi me realitetin e hidhur të privatizimeve shkattruese do të hasë në rezistencë dhe përseri në oportunizëm të përfituesëve të mëdhenj që patjetër janë të lidhur me ish-qeveritaret, por ata sot duhet të jenë përkrahësit e këtyre veprimeve! Si do të duket në praktikë, kjo është vështirë të paramendohet. Gjithësesi shteti ligjor duhet të vihet në funksion. Nëse ky veprim i qeverisë deshton, atëherë vështirë se do të mund të flasim për realizimin e qellimëve dhe synimëve të qeverisë. Kriza ekonomike është aq e thellë sa që nuk duron dot kriza të tjera.
Çka mund apo duhet të presin shqiptarët nga Qeveria e pakicës
Nuk më është e njohur nëse partitë shqiptare, përbërëse të Qeverisë së pakicës, kanë pasur kërkesat e tyre për të qenë pjesë e qeverisë?! Sidoqoftë,, vendet ministrore të ndara kuadrove shqiptare – Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e të Drejtave të Njerit dhe Pakicave, nuk ngjallin shpresë se zhvillimi ekonomik, kulturor e arsimor do të jetë dukshëm më i suksesshëm. Jo pse këto ministri nuk janë të rëndësishme, por pse fushëveprimi i tyre për një zhvillim më të shpejtë ekonomik është i kufizuar. Do të kishte qenë më premtuese për shqiptarët nëse ministrat shqiptarë do të kishin udhehequr me ministrinë e ekonomisë, financave apo investimeve kapitale, mbase meqenëse “gjaku nuk është ujë” do të kishin realizuar ndonjë investim më tepër në trojet shqiptare! Gjithësesi, shqiptarët janë mësuar me premtime. Kësaj radhe na mbetet të shpresojmë në besueshmërinë e qeverisë “për popullin” e jo “ për fotele personale”
Shqiptarët shpresojnë më të madhe se do të rishqyrtohen privatizimet në trojet e tyre, do të veprojë ligji dhe drejtësia, kështu që Kriporja e Ulqinit, objektet hotelerike dhe turistike të privatizuara me “hile” gjithandej në trojet shqiptare, tokat e vreshtarisë së “13 korrikut” “Agroulqinit” e shumë objekte të tjera, të cilat për efekt të hapsirës nuk po i përmendim kësaj here, të rivlerësohen e të vendosen në funksion për të cilen janë themeluar, pra të fillojnë të punojnë. Kjo pa tjetër do të ndikojë në përmirësimin e standardit jetësor por edhe në ngadalësimin e boshatisjes se trojeve tona etnike.
Shqiptarët, po ashtu, nga kjo qeveri presin zbatimin konsekuent të Ligjit për drejtat e pakicave në Mal të Zi (planet mësimore, zbatimi i administratës dygjuhësore në organet gjyqësore dhe administrative, përdorimi i simbolëve kombëtare së paku në nivelin e vitit 1974, ruajtjen e trashigimisë kulturore etj. konformë Strategjisë qeveritare për pakicat). Shqiptarët nga kjo qeveri presin aplikimin e normave të njohura në rajon për përfaqësimin e pakicave ( mandatet e garantuara me kushtetutën e vendit, si në Kosovë e Kroaci për serbët, pjesëmarrja obligative e partive shqiptare në qeveri etj).
Shqiptarët presin nga kjo qeveri që të ndalohen presionet e KOS-it ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare, në Shas, liqenin e Shkodrës, Martinaj e udo tjetër. Konform këtyre kërkesave shqiptarët kërkojnë ndalimin e devastimeve dhe ndëtimeve të egra (informale) në liqenin e Shkodrës, e kudo tjetër, dhe këthimin e kompetencave të shfrytëzimit të goricave në liqenin e Shkodrës nga ata që shekuj me radhë (edhe në bazë të dokumenteve zyrtare ) i kanë shfrytëzuar. Është koha, pas shumë perepecive e premtive, që kisha “konzervë” në majen e Rumisë, njëherë e përgjithmonë të largohet. Kjo padyshim do të ndihmojë në ruajtjen dhe përmirësimin e marëdhënjeve etnike dhe fetare.
Kërkesat e shqiptarëve, të lëna pas dore vite e vite, janë të shumta, kësaj here vetëm kaq.
Shpresojmë në pjekurinë dhe aftësinë e kësaj qeverie dhe klase politike në përgjithësi për të marrë përgjegjësinë për të mirë ose për të keq. Gjithashtu shpresojmë se më në fund kjo klasë politike (edhe qeveria) do të kuptojë se ato janë në shërbim të popullit e jo populli në shërbim të tyre.