Aktuale Më shumë

Botohet libri “Dasma në Anë të Malit – Ritet dhe ceremoniali i saj” e autorit Esat Mehmeti

Prej tvteuta08:49, 7 Prill 2023

Dashuria për folklorin dhe trashëgiminë kulturore e ka nxitur gazetarin Esat Mehmeti që të merret me zakonet dhe ritet e trevës së Anës së Malit, që janë përcjellur brez pas brezi, ndër të cilat dasma zë një vend të posaçëm. Fryt i pasionit dhe i punës së tij është libri “Dasma në Anë të Malit – Ritet dhe ceremoniali i saj”, i cili është botuar para disa ditësh.

Në parathënien e librit autori shkruan se dasma në Anën e Malit ruan një thesar të pasur kulturor, prandaj qëllimi i tij ka qenë që të pasqyrojë ceremonialin e kësaj dasme në tërë kompleksitetin e saj.
“Ritet dhe ceremoniali i dasmës, si dhe këngët, vallet, veshjet dhe lojërat popullore që e shoqërojnë, janë pa dyshim një pasuri kombëtare dhe paraqesin interes për folklorin tonë në përgjithësi. Të gjitha këto krijojnë një mozaik shpirtëror që u përcoll brez pas brezi dhe ruajtur deri në ditët tona, duke u kultivuar si vlera”, shprehet ai.
Në libër autori përshkruan tri etapat kryesore të ritualit martesor: fejesën, përgatitjen për dasmë dhe dasmën. Ai po ashtu flet për ndryshimet e dasmës në Anën e Malit dikur dhe sot. Pjesë e librit janë edhe disa këngë popullore dasme nga Ana e Malit.
Redaktor i librit është Dr. Nail Draga, recensentë Qani Osmani dhe Luljeta Avdiu – Cura, lektor Sabri Halili, radhitjen kompjuterike e ka bërë Gresa Mehmeti, ballinën Agron Ujkashi, fotografitë Ardian Taipi dhe përgatitjen teknike Gazmend Çitaku.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, kurse është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Botimin e librit e ka mundësuar Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Malin e Zi. Po ashtu kanë ndihmuar edhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, Fondi Humanitar Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” – Nju Jork, Shoqata “Ana e Malit” – Nju Jork dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi.
Esat Mehmet ka mbaruar studimet në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe pranë Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Gjatë viteve 1979-1991 ka punuar mësimdhënës në Obiliq, kurse prej vitit 1995 deri në vitin 2022 gazetar në Radio Ulqin. Merret edhe me shkrime publicistike që janë botuar në të përjavshmen “Koha javore”, gazetën “Bota sot” etj.
“Dasma në Anë të Malit (Ritet dhe ceremoniali i saj)” është libri i tij i parë.

Ulqin, më 06.04.2023 SHAI “Art Club”

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio