BESMIR MURATI: DËNOJMË ASHPËR DHUNËN NDAJ QYTETARËVE TË ULQINIT
Prej tvteuta16:52, 3 Maj 2023
Në vend që të ishte një ditë ku të gjithë në Ulqinin tradicionalisht mikpritës do të gëzonin dhe do të festonin siç tashmë është e njohur edhe në opinion publik, festa e 1 Majit u kthye në dhunë që ndërmorën persona të dyshimtë, të cilët mosmarrëveshjet tentuan t’i zgjidhnin me shkopinj dhe grushte duke çfryer kështu inatet, zemërimet dhe tërbimet personale, më e keqja duke dhunuar qytetarët e pafajshëm. Ngjarja e pakëndshme në të cilën mysafirët rrahën barbarisht, pa kurrfarë arsye banorët e qytetit, që ndodhi në Adë, la shije të hidhur dhe tregoi edhe një herë se shteti është i pafuqishëm të marret me çështjen e dhunës dhe ta parandaloj atë.
Lëndimet e rënda trupore që u janë shkaktuar banorëve të Ulqinit që ishin të pafajshëm e që në asnjë mënyrë nuk kontribuan në ngjarje, janë shkaktuar nga dhunuesit, të cilët me sa duket kanë ardhur në Ulqin për të shfryrë zemërimet dhe frustrimet personale, janë një tregues i qartë që vë në dyshim mekanizmat e shtetit për t’u përballur me këtë fenomen që tek qytetarët ngjallë shqetësim. Tejet shqetësues është edhe fakti se personat që rrahën brutalisht vendasit nuk janë gjetur ende, edhe pse identiteti i tyre është i njohur si për opinionin e gjerë ashtu edhe për organet ligj zbatuese. Kjo le dilemë dhe dyshim nëse dikush po i mbron këta dhunues apo edhe po i inkurajon në një sjellje të tillë.
I bëjmë thirrje organeve kompetente shtetërore që ta zbardhin rastin sa më shpejt, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për gjetjen e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë dhe në këtë drejtim si parti politike, duke pasur parasysh interesat e mysafirëve të qytetit dhe qytetarëve të Ulqinit, do të ndjekim nga afër hetimin e këtij rasti dhe proceset në lidhje me rastin, ku me këtë deklaratë e dënojmë ashpër dhe shprehim indinjatë të thellë.
Si parti nuk do të lejojmë që dhuna të bëhet mënyrë e zakonshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe do të jemi gjithmonë pranë të gjitha viktimave të dhunës të çfarëdo lloji, si në Ulqin ashtu edhe në Mal të Zi.
Theksojmë se Ulqini është një qytet ku të gjithë, pa dallim kombësie, feje apo ndonjë përkatësie tjetër, janë më se të mirëseardhur dhe se në Ulqin nuk ka dhe nuk do të ketë vend për dhunues. Duket se Ulqini nuk është më imun ndaj dhunës si dukuri negative shoqërore, e cila kohët e fundit ka marrë formën e një epidemie të vërtetë.
Si parti politike nuk do të lejojmë që Ulqini të bëhet vend i ushtrimit të dhunës, por të mbetet qytet multikulturor, paqësor dhe evropian, me dëshirën që të lënduarit në këtë ngjarje të shërohen sa më shpejt.
Avokat Besmir Murati
Anëtar i Këshillit Qendror Forca E Re Demokratike