ATA QË E DESHTËN SHUMË ULQININ
Prej tvteuta16:05, 20 Mars 2015
ATA QË E DESHËN SHUMË ULQININ
Nga Ibrahim Berjashi,ish- kryetar i SHAI “ART CLUB”
Ali Podrimja, njeri ndër poetët më të spikatur shqiptar në përgjithësi,u ka dhënë një përkrahje të veçantë autorëve shqiptarë nga Ulqini dhe mbarë Mali i Zi si redaktor i poezisë në veprimtarinë botuese të ish- ndërmarrjes “Rilindja” të Prishtinës.
Poeti Ali Poddrimja në Kala të Ulqinit
Podrimja kishte dashuri të veçantë dhe respect për Ulqinin,ndaj e vizitonte shpesh gjatë vitit edhe përherë sillte vëllime të reja poetike, të tij, por edhe të autorëve të tjerë nga hapësira mbarëkombëtare.
Personalisht e kam pasur përkrahes të fuqishëm në themelimin edhe afirmimin e takimeve ndërkombëtare “Kalimera poetike”, të organizuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Vazhdimish më thoshte se Ulqini duhet ta ketë një veprimtari letrare që do ta identifikonte edhe do të ishte sinonim I takimeve poetike verore.
Ashtu edhe ka ndodhur.
“Kalimera poetike”, e afirmoi Ulqinin, krahas turizmit ,edhe si “bërthamë” e poezisë moderne.
Podrimja entuziasmohej edhe kudo që shkonte nëpër vendet ballkanike dhe evropiane,”Kalimerën poetike”, s`e hiqte nga mendja as nga goja me njerëzit më të shquar të letrave.
Për çdo verë,”Kalimera poetike” nis me kujtesën edhe ndihmesën e poetit Ali Podrimja.
Për dashurinë që ka pasur për Ulqinin edhe “Kalimerën poetike”,Shasin, po se po,dëshmojnë poezitë,fotografitë,miqësitë,…autorit të “Lum Lumit”, Ulqini i ka shumë borxh, shpirtëror, kulturor dhe intelektual.
Borxhi nuk është fare më i vogël as ndaj “enciklopedisë” së letrave shqipe,Rifat Kukaj, i cili ndërroi jetë në Ranë të Ulqinit duke u frymëzuar me imazhin e detit të kaltërt.
Nuk e harroj jo, se e në edicionin e “Kalimerës poetike” në vitin 2009, në emër të SHAI “Art Club” e kisha mysafir Ramiz Kelmendin, autorin e “Letrave prej Ulqinit”, i cili Ulqinin e ka quajtur “ Vendlindja ime letrare”.
Sipas mendimit tim, këto personalitete që aq shumë e deshën Ulqinin duhet të gëzojnë statusin “ Nderi i Ulqinit”, sepse kanë lënë vlera që shkëlqejnë deri në amshim!
Ulqin, më 21 mars 2015