Ukrainë, vetëm përmes diplomacisë
Prej tvteuta10:35, 18 Janar 2022
Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se diplomacia është “mënyra e vetme” për të zgjidhur tensionet midis Moskës dhe Perëndimit lidhur me Ukrainën.
Këto komente ajo i bëri gjatë një vizite në Kiev, prej ku paralajmëroi Rusinë se do të paguante “çmim të lartë” nëse sulmon Ukrainën.
“Ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë sigurinë e Ukrainës. Ne do të bëjmë gjithçka që të garantojmë sigurinë e Evropës”, tha Baerbock gjatë konferencës së përbashkët për media me homologun e saj ukrainas, Dmytro Kuleba.
“Çdo veprim i mëtejmë agresiv do të ketë çmim të lartë për Rusinë, në aspektin ekonomik, strategjik dhe politik”, tha ministrja gjermane, një ditë para se ajo të takohet në Moskë me homologun e saj, Sergei Lavrov.
Më 2014, Rusia aneksoi Gadishullin Ukrainas të Krimesë, dhe që atëherë mbështet luftëtarët separatistë që po luftojnë me forcat qeveritare ukrainase në Lindje të Ukrainës. Nga ky konflikt janë vrarë mbi 13,200 persona.
Kievi dhe Perëndimi thonë se Rusia ka dislokuar dhjetëra mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën dhe kanë ngritur shqetësime se Moska është duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm. Por, Moska mohon se po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën.
Gjatë javës së kaluar janë mbajtur takime ndërmjet Rusisë dhe shteteve perëndimore lidhur me grumbullimin e trupave ruse, por këto bisedime nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.