iACT: Mungesë informacioni rreth arritjeve në fushën e kinematografisë
Prej tvteuta13:52, 30 Janar 2018
NJOFTIM PËR MEDIAN NGA OJQ UNË VEPROJ
Në emisionin e realizuar nga TV Teuta, publikuar më datë 26 janar 2018, ku diskutohet zhvillimi kulturor në Ulqin, vërejmë mungesë informacioni rreth arritjeve në fushën e kinematografisë gjatë tri viteve të fundit. Me qëllim informimin e plotë, OJQ Unë veproj dëshiron të risjellë në vëmendjen e qytetarëve ulqinakë disa arritje në fushën e zhvillimit dhe promovimit të kinematografisë, të realizuara gjatë periudhës 2015-2017.
Seanema Film Festival organizuar nga OJQ Unë veproj, në shtator të vitit 2015 riktheu kinemanë në ambient të hapur, mbas më shumë se 20 vitesh mungesë. Gjatë tre edicioneve të Seanema, OJQ Unë veproj mori vlerësime pozitive, rrjedhimisht u mbështet nga Ambasada Amerikane në Podgoricë dhe qeveria malazeze, Ministria e Kulturës, Qendra kinematografike dhe Arkivi i Filmit. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kemi patur mbështetjen e diasporës shqiptare në SHBA, Komunës Ulqin, Organizatës turistike dhe bizneseve lokale.
Nënvizojmë se Seanema vijon bashkëpunimet me festivale të rëndësishëm të rajonit, si Festivali ndërkombëtar për të drejtat e njeriut organizuar nga Akademia Multimediale e Filmit në Tiranë – Marubi, Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar në Beograd – Beldocs dhe Festivali i filmit në Prishtinë – PriFilmFest. Gjithashtu, Seanema ka fituar përkrahjen e njërit prej festivaleve më të suksesshëm të filmit dokumentar në Europë, DokuFest Prizren.
Angazhimi i OJQ Unë veproj nuk kufizohet vetëm te organizimi i festivalit të filmit në Ulqin. Në vijim të angazhimit konkret për të sjellë një frymë të re në Ulqin përmes aktivizmit kulturor, në janar 2017 inicjuam nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit me Qendrën Kulturore Ulqin, i pari i këtij lloji në Mal të Zi. Ky Memorandum ka për qëllim rigjallërimin e jetës kulturore, si edhe sigurimin e kushteve për realizimin e një kalendari vjetor të aktiviteteve të ndryshme kulturoro-artistike dhe edukative. Me këtë rast, informojmë qytetarët se OJQ Unë veproj gjendet ende në pritje të përmbushjes së detyrimeve të palës tjetër nënshkruese të Memorandumit.
Pavarësisht bashkëpunimit të kufizuar, ne vijuam angazhimin duke identifikuar dhe adresuar nevoja reale të qytetarëve të Ulqinit, për shfrytëzimin e hapësirave publike ku ata do të mund te ndjekin një program kulturoro-artistik gjatë gjithë vitit. Për këtë qëllim u angazhuam konkretisht gjatë vitit të kaluar, me krijimin e modelit cinema/arthouse “Art Kino” i cili ka për qëllim modernizimin dhe rikthimin në funksion të kinemasë në Ulqin, projekt ky i prezantuar fillimisht para Ministrisë së Kulturës dhe Qendres kinematografike në Mal të Zi. Kemi bërë hapa konkret drejt jetësimit të projektit “Art Kino”, me anë të ndërgjegjësimit të vazhdueshëm të institucioneve lokale dhe qeverisë malazeze rreth rëndësisë së rikthimit të kinemasë në Ulqin. Së fundmi, me mbështetjen e Komunës Ulqin, Qendrës Kinematografike dhe Arkivit të Filmit në Mal të Zi jemi angazhuar konkretisht për sigurimin e fondeve ndërkombëtare për realizimin e këtij projekti, më saktësisht pranë Komisionit Europian.
Përkushtimi i pashoq i aktivistëve tanë ka mundësuar që OJQ Unë veproj dhe Festivali i Filmit Seanema të prezantohen me një koncept unik dhe të ri për Malin e Zi, kinoaktivizmin. Me krenari e themi atë që e pohojnë edhe bashkëpunëtorët dhe të ftuarit e tri edicioneve të Seanema, që Ulqini po kthehet në një vendtakim të rëndësishëm të artistëve dhe profesionistëve të fushës së filmit, njëkohësisht përfaqësues të kulturave të ndryshme nga rajoni dhe bota, duke promovuar kështu prodhimet më të reja kinematografike dhe shkëmbimin ndërkulturor. Mirëpo, një prej dimensioneve që e karakterizon më së miri dhe për të cilin jemi posaçërisht krenarë është pjesëmarrja si edhe shpirti krijues i të rinjve nga i gjithë Mali Zi dhe rajoni, të cilët vit mbas viti na bashkohen dhe angazhohen vullnetarisht në organizimin e festivalit të filmit në Ulqin.
Duke gjykuar gjendjen sot në Ulqin dhe në Mal të Zi, ku terreni për pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitete jopolitike është mjaft i brishtë, gazetarët dhe pjesëtarë të skenës së pavarur kulturore e intelektuale duhet t’i mbështesin, inkurajojnë e jo ti anashkalojnë nismat e këtij lloji. Të nxitur nga ky rast, ju bëjmë thirrje të gjithë gazetarëve, të cilët synojnë që profesionin e tyre t’a ushtrojnë me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm, që të informojnë në mënyrë të paanshme publikun rreth aktiviteteve që kanë rëndësi për komunitetin dhe për progresin e përgjithshëm shoqëror.