Opinion Më shumë

Në vigjilie të 75- vjetorit të martesës

Prej tvteuta12:36, 27 Gusht 2016

Pashko e Lula Shkreli ,   provë e gjallë  që dashuria nuk shuhet kurrë

Shkruan: Gjekë Gjonaj

Asgjë nuk e ndalë më mirë kohën sesa dashuria. Këtë gjë më së miri e dëshmon rasti i çiftit bashkëshortor  Pashko  dhe Lulë Shkreli  nga fshati Amull i Komunës së Ulqinit . Ata tani janë në moshë të thyer  dhe me shëndet të rënduar, por vital.  Pashku ka lindur  më 27 tetor 1925 , ndërsa Lula më  15 shkurt 1924.  Dyshja e rrallë   janë fejuar në moshën  katërmbëdhjetëvjeçare sipas traditës, me shkues Prenash Zefin.  Sipas Kanumnit të Lekë Dukagjinit. Me dëshirën e prindërve të tyre.   Pa e njohur njëri-tjetrin.  Pa vullnetin e  tyre.  Pa e shkëmbyer shikimin joshës në rrugë apo  diku tjetër.  Pra, nga interesi i familjes.  Pashku deri në ditën e martesës nuk e dinte se si duket  grueja e tij. Edhe Lula, gjithashtu. Për herë të parë janë takuar kur thanë “po” para priftit Dom Ivo Bushiqiit , në Kishën e Shëngjergjit.   Të dy ishin adoleshent,  kur e lidhën kurorën e martesës.  Pothuaj në lulen e rinisë.  Sapo i kishin mbushur nga shtatëmbëdhjetë pranvera. Lula, bijë e  familjes shqiptare  Nikiq  nga fshati  Raho i Kuçit ishte    tetë  muaj më e vjetër se sa çifti i saj i jetës Pashko Shkreli.   Duhej respektuar “ rregullat” e martesës së familjeve shqiptare fshatare.  Ishte marre me u takua me të fejuarin.   Janë  martuar në gjysmën e parë të shekullit të kaluar.  Në   fillim   të  Luftës së  Dytë Botërore. Saktësisht   u kurorëzuan në  muajin dhjetor të vitit 1941. Domethënë në dhjetor të këtij viti do të mushen 75 vjet të kurorëzimit të martesës së tyre.

Mosha e re, e as jeta e vështirë e fshatit për 27 vite  nuk i pënguan Pashkun e Lulën të gjejnë gjuhë të përbashkët, të kenë mirëkputim, të duhen, të respektohen, të krijojnë  e të mbajnë  familjen, sikurse  edhe të ndihmojnë  edhe familjarët e tjerë  të mbijetojnë  në  kushte pa kushte.  Dashuria e tyre ka vazhduar edhe pasi  ata  në vitin  1968  për arsye ekonomike u larguan nga Amulli malor së pari në Itali e  pas gjashtë muajve në Detroit, ku jetojnë së bashku edhe sot. Kjo dashuri zgjatë edhe sot edhe pas kalimit të gati 75 viteve. Çifti Shkreli  jo vetëm se ende jetojnë së bashku të lumtur në Amerikë , por ata  vazhdojnë ta duan njëri-tjetrin jo më pak sesa në ditën kur u takuan për herë e të parë.

Gjatë vizitës sime të parë të  çiftit Shkreli në Detroit para  disa  vitesh  vërejta se  në mes tyre ka ende dashuri, ka respekt, ka tolerancë, ka mirëkuptim. U binda  se  të dy e duan dhe e nderojnë njëri-tjetrin tani në pleqëri edhe më shumë. Më thanë se tashmë janë bërë një ,  siç themi popullorçe  si “ mishi e thoni” dhe se për asnjë moment nuk do të dëshironin të jetonin pa shoqi-shoqin. Vallë, a ka gjë më të bukur dhe më prekëse se sa  të njohësh, të takosh e të bisedosh me  të dashuruarit që mund t’i mbajnë ndjenjat e tyre gjallë për  vite të tëra?

Pashku e Lula  gjatë jetës së gjatë e të lumtur bashkëshortore  sollën në jetë pesë fëmijë, katër vajza : Prënën, Marinë ( tani e ndjerë)  ,  Dranen e Lulën dhe djalin e vetëm Franin të cilët kanë familjet e veta.

Për martesë të suksesshme dhe jetëgjatësi martesore me rëndësi është durimi, falja, mirëkuptimi,  dhe shëndeti në familje. Por natyrisht më e rëndësishme është dashuria.  Janë të vetëdijshëm se pa atë më të bukurën – dashurinë-  sot nuk do ta mbanin për dore njëri-tjetrin. “ Nëse nuk ka dashuri nuk ka as jetë, nuk ka as bashkëjetesë,”  më tha Pashku, ndërsa Lula  e buzeqeshur si gjithmonë me  shumë përvujtshmëri e dashuri shtoi : “ Këto shtatëdhjetë e ca vjetë bashkëjetese në mes nesh nuk ka patur kurrfarë  mësheftësie. Na ka mbajtë gjallë  dashuria,  respekti, besnikëria  dhe sinqeriteti  ndaj njëri-tjetrit dhe  përkushtimi ndaj fëmijëve. Gjatë jetës sonë të përbashkët  prej gati shtatë dekadash e gjysmë kemi përjetuar shumë vështirësi, në vendlindje  dhe në mërgim ,  por   kemi luftuar bashkërisht për vete dhe për fëmijët tanë”, na thanë  për fund “çifti i ri i sapomartuar “ – Pashku e  Lula , të cilëve dashuria u është pjekur me kalimin e kohës.

Çifti i ndershëm e i lumtur  Shkreli  të gjithë përvjetorët e deritashëm të  martesës i kaluan në heshtje. Prandaj do të ishte mirë nëse u shërben shëndeti që në 75- vjetorin e   kurorëzimit të martesës së tyre  në prani  të një  rrrehit të tyre “ të ngushtë” prej  5  fëmijëve 15 nipave e mbesave dhe 25 stërnipave e stërmesave   të kremtojnë  jubileun e tyre të madh. Do të ishte vërtetë impresive.

 

 

 

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio