Sociale Më shumë

Ulqinit i duhet   një imazh i ri  turistik

Prej tvteuta16:11, 9 Maj 2016

Shkruan:  Gjekë Gjonaj

Ka qytete që nuk rinovohen kurrë, që ngelin të ngrira. Ulqini si qytet turistik me moshë duhet të restaurohet dhe të ndryshojë vazhdimisht. Ai ka nevojë  për ndërhyrje të shumta infratsrukturore për të përmirësuar imazhin e tij turistik. Kjo për faktin e hidhur se, sidomos  gjatë periudhës së tranzicionit, ka pësuar një stagnim (ngecje) të dukshëm,  të cilin e vëren dhe e ndjen çdo qytetar,  por edhe çdo mysafir që  e ka vizituar këtë qytet së paku edhe një herë të vetme.  Do të duheshin shumë investime për të përmirësuar peisazhin e Ulqinit, si qytet me histori e trashëgimi të pasur kulturore. Sfidat kryesore të  pushtetit të ri vendor  të identifikuara nga komuniteti i këtushëm  janë  konsolidimi i financave,  menaxhimi i mbetjeve urbane, sistemimi i rrjetit të kanalizimeve e ujërave të zeza, ndërhyrja në infrastrukturën e disa rrugëve kryesore dhe e rrugëve dytësore të qytetit dhe fshatrave  përreth, si dhe fillimi i disa projekteve madhore, pa të cilat  Ulqini nuk mund të ketë një zhvillim të vrullshëm ekonomik. Padyshim se për këtë duhen edhe mjete të konsiderueshme buxhetore. “ Pa pare  nuk hyp as hoxha në minare”, thotë një proverb yni popullor. Kjo është krejtësisht logjike,  normale dhe e pranueshme.  Sepse çdo ndërtim  apo restaurim  ka koston e vet financiare. Mirëpo shpeshherë me pak para mund të bëhen  mjaft punë që ne i konsederojmë si “ të vogla”,  por realisht ato kanë efekte të mëdha nëse kemi ide, vizion, vullnet  dhe dëshirë që t’i jetësojmë ato. Sikur të ekzistonte një bashkëpunim dhe bashkëveprim më i koordinuar dhe më i harmonizuar ndërmjet autoriteteve vendore dhe drejtuesve të ndërmarrjeve publike me siguri se infrastruktura e qytetit do të kishte një pamje tjetër e cila pozitivisht do të ndikonte  edhe në përmirësimin e jetesës së qytetarëve të këtushëm.

Meqë jemi në prag të sezonit veror gjithësesi duhet të intensifikohen  aksionet e filluara që synojnë gjallërimin urban dhe social të Ulqinit:  pastrimi i të gjitha  pjesëve   të qytetit, përmirësimi i hapësirave publike,  bartja  e mbeturinave nga ekonomitë familjare, por edhe deponitë e vogla që janë krijuar dhe  po krijohen nga  qytetarët e pandërgjegjshëm që i hudhin mbeturinat vend e pa vend. Mirëmbajtja e hapësirave të gjelbërta po ashtu, të cilat janë “mushkëritë” e qytetit, sikurse edhe mbjellja e pemëve të reja lisi e pishash në Pyllin e Pishave dhe në parqet e qytetit.

Investim  pa kosto të lartë financiare , i cili do të ndryshojë pamjen e Ulqinit, do të ishte lyerja-rikonstruksioni i fasadave në qendër të qytetit. Shumica e objekteve të   banimit kolektiv, tash më se   tri dekada  kanë mbetur të pa mirëmbajtura, pasi pothuaj në asnjë prej tyre nuk funksionojnë këshillat e banorëve. Vetë kryetari i komunës Nazif Cungu në takimin e tij të parë  me gazetarë pas rikthimit  të tij në këtë detyrë me datë 13 prill 2016, ndër të tjera u shpreh:“Do të angazhohemi në lyerjen e fasadave, banesave dhe objekteve të qytetit”. Dua të besoj se kjo deklaratë  e kryekomunarit Cungu  mos të   mbetet thjesht premtim i parealizuar, por të veprojë  ashtu siç  bëri ish – kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama në vitet 2003-2004, përvojë të cilën e kanë ndjekur shumë kryebashkiakë të tjerë në Shqipëri dhe disa kryetarë komunash edhe në Kosovë e Maqedoni. Ky projekt që do t’ia ndryshojë pamjen këtij qyteti mendojmë se vjen si nevojë e kohës. Faza e parë e punimeve  do të duhej të fillojë sa më parë të jetë e mundur, duke filluar nga  objektet e para të banimit në hyrje të qytetit dhe në vijim. Me përfundimin e lyerjes së fasadave Ulqini do të ketë një pamje krejt të re dhe do të jetë një qytet me një imazh tërësisht të ri  dhe më atraktiv për pushuesit, por edhe më i bukur në pikëpamje vizuale për qytetarët ulqinakë. Kjo bukuri do të fillojë të transformojë shpirtin e njerëzve, do të ndikojnë të ndjejnë diçka që e kishin harruar, ndjesinë e  objekteve të bukura.

Me një “chlik” në internet mund të shohim disa qytete europiane e botërore me fasada të lyera ( ngjyrosura)   të cilat na joshin që në pamjen e parë, si: Burano që gjendet në Venecia dhe Vernazza ( Itali), Juzcr ( Spanjë), Mentone ( Francë), Breslavia ( Poloni), Copenhagen( Danimarkë), Guanajuto ( Meksikë), Majemi ( SHBA), Chefchaouen ( Maroku) etj.

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio