Promovimi më i bukur i vlerave turistike
Prej tvteuta18:35, 16 Prill 2016
Shkruan: Gjekë Gjonaj
Kjo javë mund të quhet sportive për qytetin e Ulqinit. Në terrenet e Klubit të Tenisit “ Bellevue” në Plazhin e Madh më 11 prill ka filluar të mbahet turneu prestigjioz ndërkombëtar i tenisit për femra “ Fed Cup” . Kjo është hera e tretë që Federata e Tenisit e Malit të Zi në bashkëpunim me Federatën Botërore të Tenisit ia ka besuar këtij qyteti mbajtjen e këtij evenimenti. Nuk është vetëm një garë tenisi por edhe një festë e madhe e cila ka mbledhur qindra teniste dhe tenistë nga 17 shtete të botës nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Greqia, Norvegjia, Tunizia, Luksemburgu, Malta, Moldavia, Armenia, Irlanda, Islanda, Madagaskari, Qiproja, Algjeria, Mozambiku dhe Maroku. Tenistet me të mira të shteteve pjesëmarrëse gjashtë ditë radhazi do të shfaqin talentin e tyre para një numri të madh të dashamirëve dhe adhuruesve të këtij sporti gjithnjë e më atraktiv dhe më i popullarizuar në Ulqin. Pritet që ekipet pjesëmarrëse të shfaqin lojëra shumë cilësore dhe në terren të ketë një rivalitet dhe luftë të madhe. Kjo për tri arsye kryesore. E para këta sportistë po mbrojnë ngjyrat e shteteve të tyre. E dyta janë duke shërbyer si ambasadorët më të mirë të vendeve të veta. E treta po garojnë për tu kualifikuar në grupin e dytë të kësaj garë në konkurrencën e femrave. Me angazhimin dhe rezultatet e tyre tenistet vendase dhe të huaja po përcjellin mesazhin më të mirë për përfaqësueset e veta, pa folur fare. Nga na tjetër ato, përveçse gjallëruan Ulqinin dhe zgjuan interesimin e jashtëzakonshëm të adhuruesve të tenisit, do të promovojnë anë e kënd rruzullit tokësor vlerat jo të pakëta të këtij qyteti të lashtë me traditë më se 2500 vjeçare.
Ulqini edhe këtë vit, sikurse edhe dy vitet e mëparshme, u bë qyteti i tenisit, vendi ku u tubuan shumë teniste të reja nga Evropa dhe Afrika që do të përçojnë vibrime pozitive, ku u bë dhe po bëhet gjithçka për ruajtjen e gjithë bukurisë që përmban ky sport. Poashtu ky qytet në prag të sezonit veoror tash tri vite përmes lojës së tenisit po promovon në arenën ndërkombëtare vlerat dhe potencialet turistike. Kjo ngjarje madhore dhe madhështore është dëshmi e gërshetimit të sportit si veprimtari universale që i bashkon popujt dhe turizmit si degë e rëndësishme ekonomike. Duke krijuar modele të këtilla me arritje ndërkombëtare në fushën e sportit organizatori ka shtruar rrugë të ndriçuara suksesi për gjeneratat e ardhshme. Sepse, është frymëzuese të shohim në Ulqin sportistë pothuaj nga e gjithë bota nga secili grup etnik, fetar dhe social të bashkuar jo vetëm për të luajtur tenis, por edhe për t’u njoftuar, shoqëruar dhe për të ndarë gëzmin me njëri-tjetrin. Përmes këtij kompeticioni tenistet dhe tenistët e huaj do të bëhen të vetëdijshëm për resurset që mbart Ulqini dhe për vlerat e tij kulturore, muzeale, arkeologjike e të tjera, të cilat do t’i përcjellin në vendin e origjinës së tyre. Ky është një shembull i mirë i punës së palodhshme dhe një përfaqësim mjaft i mirë që i bëhet këtij qyteti përmes tenisit.
Ulqini bashkë me ofertën e kapaciteteve strehuese me çmime të volitshme në sektorin shoqëror dhe privat i ka kushtet për t’u zhvilluar në një qendër të rëndësishme sportive e turistike. Tani ky qytet i tenisit në të ardhmen duhet të bëhet qytet i sportit, vendi ku sportistëve dhe klubeve të këtushme do t’u krijohen kushte për zhvillimin e sporteve të ndryshme. Turizmi dhe sporti do të duhej të jenë të lidhura në mes veti në dokumentet strategjike të kësaj komunë. Me një infrastrukturë tani më të rregulluar sporti dhe turizmi mund të bëhen motor i rritjes së qëndrueshme ekonomike, hapjes së vendeve të punës dhe të krijimit të të hyrave financiare. Është me rëndësi që përmes sportit të nxitet dhe të promovohet turizmi ngase në këtë mënyrë stumilohen investimet në projektet e infrastrukturës siç janë rrugët, fushat dhe komplekset sportive – projekte këto prej të cilave do të kenë përfitim edhe vetëqeverisja vendore edhe vizitorët shfrytëzues të saj. Sporti dhe turizmi janë lëmi të cilat në raport të ndërsjelltë mund të kontribuojnë në imazhin jo vetëm të vetadministrimit lokal, por edhe zhvllimit të gjithmbarshëm dhe të promovimit të programeve sportive-rekreative te popullata. Kësaj arritjeje do t’i gëzoheshin të gjithë qytetarët e kësaj komunë.