Mos(interesim) i duhur për artin pamor dhe muzikor në Ulqin
Prej tvteuta16:29, 11 Prill 2016
Gjekë Gjonaj
Pak publik në Galerinë e Arteve dhe në Qendrën Kulturore të Ulqinit. Ky ishte realiteti i hidhur dhe jo i kënaqshëm në dy aktivitete të veçanta artistike që u zhvilluan fundajvën që lamë pas për nder të kremtimit të Ditës së Ulqinit. Kjo shprehi e mungesës së kulturës të publikut ulqinak për të vizituar veprat e mirëfillta të artit pamor u përsërit për të satën herë edhe të prëmten e kaluar në ekspozitën e përbashkët të shtatë piktorëve akademikë vendas: Rudi Goga, Mersiha Resulbegoviqi-Mavriqi, Bilal Nikeziqi, Jozo Koçoviqi, Vahida Hasanaga – Nimanbegu, Naser Hasa dhe Edin Kapllani. Këta artistë të njohur me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare për artëdashësit kishin ekspozuar 18 vepra të qëndrueshme artistike, që u përkisnin gjinive të ndryshme , varësisht nga përceptimet dhe ndjesit e artistëve. Çfarë thesari! Thesar i vërtetë artistik, kulturor e shpirtëror. Poashtu edhe një vlerësim brilant , i thelluar e meritor i prof.dr. Ruzhdi Ushakut për veprat e ekspozuara i shoqëruar edhe me fjalën e hapjes së kësaj ekspozite të kryetarit të sapoemëruar të Komunës së Ulqinit Nazif Cungut. Mirëpo të gjitha këto vlera artistike të vendosura në mur ndiheshin të vetmuara në mungesë të publikut ulqinak. Pikturat e ekspozuara prisnin që pranë tyre të ishin sa më shumë artëdashës, të bisedonin dhe t’i komentonin ato. Nga ana tjetër pritej që publiku vendas të kënaqej me bukurinë e këtyre pikturave shumëngjyrëshe dhe me mesazhet që përcjellin ato tek njerëzit. Është për të ardhur keq që këto vlera të pamohueshme të artit pamor të krijuara me mjeshtri, intuitë, ndiesi, dashuri, përkujdesje e profesionalizëm nga piktorët e përmendur ulqinakë nuk zgjuan vëmendjen e duhur të bashkëqytetarëve të tyre. Këta të fundit harruan se artisti është biri më i mirë i një populli. Harruan thënien e Tolstoit:“Arti është pasqyra e jetës” , sikurse edhe thënien e Hegelit: “Kur artisti zbulon realitetin e ri ai s’e bën këtë për vete, ai e bën ketë për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dinë në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Ai prodhon për bashkësinë”.
Mosinteresim edhe më i madh i publikut ulqinak ishte në koncertin simfonik të të rinjëve të Malit të Zi dhe Shqipërisë, i cili u shfaq në Qendrën Kulturore të Ulqinit të shtunën në mbrëmje. Në skenë ishin ngjitur shumë muzikantë të rinj e të reja nga Mali i Zi dhe Shqipëria bashkë me dirigjentin e mrekullueshëm Daniel Glineur nga Belgjika. Çdo gjë ishte në vendin e duhur. Organizimi. Zërimi.Ndriçimi. Ajo që i mungoi këtij spektakli muzikor përsëri ishte publiku. Më se dy të tretat e sallës ishin boshe edhe pse koncerti ishte falas. Disa dhjetra dashamirë të artit muzikor ishin shpërndarë nëpër hapësirat e gjëra të kësaj salle për të dëgjuar dhe për të shijuar tingujt e ngrohtë muzikor që dilnin harmonishëm nga lloj-lloj veglash e insturmetesh muzikore. Në pamje të parë asgjë shqetësuese, sepse nuk është hera e parë që salla e Qendrës Kulturore e Ulqinit nuk mbushet. Por kësaj here nuk do të duhej të ishte kështu, pasi që bëhej fjalë për një aktivitet që zhvillohej në kuadër të bashkëpunimit në mes të institucioneve të kulturës të dy shteteve. Munguan atë mbrëmje personalitetet më të njohura të kulturës, shkencës dhe politikës të komunës. Vërtetë u ndjeva keq për mesazhin që dha salla më se gjysmë e zbrazur pikërisht ne Ditën e Ulqinit. Besoj jo vetëm unë. Ndoshta edhe të tjerët që e ndoqën koncertin. Muzikantët mysafirë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Belgjika kam bindjen se, edhe përkundër duartrokitjeve të shumta me meritë nga publiku i pakët, janë ndier edhe më keq se sa unë, apo ne, pasi që me siguri kanë pritur diçka ndryshe. Në këtë rast treguam se na mungon shprehia për ndjekjen e koncerteve të këtilla muzikore, të cilat në qytete me më shumë traditë dhe kulturë muzikore se Ulqini kërkohet një biletë më shumë. Pse mungon kjo kulturë në këtë qytet kaq të lashtë ? Për shumë arsye. Po përmendim vetëm sipas nesh më kryesoret. Në Ulqin nuk ka teatër as kinema. Pastaj është shumë keq dhe me dëme të pariparueshme që shkollat e këtij qyteti shumë rrallë, për të mos thënë hiç fare i dërgojnë fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të konsumojnë produktet kulturore në ato pak isntitucione ekzistuese të kulturës. Duhet gjetur forma që kjo kulturë të shtrihet dhe të na kthehet në shprehi prej shkollave fillore dhe të mesme, pasi që në mungesë të Teatrit të Kukullave këtë shprehi nuk mund ta kultivojmë që prej kopshteve ( çerdheve).
Personat që i udhëheqin institucionet e këtushme të kulturës duhet të jenë më të impenjuar për artin. Duhet të jenë më kreativë për të shfrytëzuar metoda të ndryshme që t’i ofrojnë më shumë qytetarët e këtij qyteti me ambijentet ku prodhohet kultura e arti dhe të ambijentohen me efektin e tyre. Gjithësesi duhet punuar që të na krijohet kjo shprehi. Brezat e pakulturuar janë po aq të rrezikshëm sa ata të pa arsimuar.
Ulqini si vend i njohur turistik nuk duhet t’i josh mysafirët dhe pushuesit vetëm me kënaqësinë e ujërave të kaltëra e të pastra të detit, as me rrezet përcëlluese të dilellit, as me bukurinë që natyra ia ka dhuruar pa kursim, as me pikat e shumta turistike, historike, kulturore , arkeologjike etj.,por duhet të bashkëbisedojë me ta edhe me gjuhën e pentagramit dhe penelit të artistëve të tij.