Udhëheqësit e Kosovës kujtojnë njëvjetorin e sulmit në Banjskë
Prej tvteuta11:15, 24 Shtator 2024
Udhëheqësit e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë kujtuar njëvjetorin e sulmit të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Presidentja Osmani tha se Kosova “është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm”.
“Sot një vit, rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm”, shkroi në Facebook.
Kryeministri Kurti njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur ta emërtojë një rrugë rajonale Ballaban – Banjskë, për nder të Afrim Bunjakut.
“Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku, që humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti në Facebook.
Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.
Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.
Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria kosovare, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se dështimi për t’i mbajtur përgjegjës kryerësit e sulmit “me gjithë pranimin e qartë të fajësisë” e minon paqen në rajon dhe dërgon mesazh të “rrezikshëm”.
“Një vit më parë, gjatë një sulmi i neveritshëm në Banjskë, oficeri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku humbi jetën. Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Millan Radoiçiq, fajtori i dyshuar për këtë krim, edhe pse e ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi”, shkroi Ambasada gjermane në Facebook.
Radoiçiq besohet se gjendet në Serbi. Ndërkaq, të pandehurit e tjerë, sipas aktakuzës, të gjithë janë në arrati përveç tre personave që gjenden në paraburgim në Kosovë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 13 shtator se autoritetet serbe po e hetojnë sulmin në Banjskë.
Ai tha se ky sulm, për Serbinë, nuk është “terrorist”.