Raund i ri bisedimesh Kosovë – Serbi, kryenegociatorët takohen sot në Bruksel
Prej tvteuta14:56, 17 Shtator 2024
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen sot në Bruksel në një raund të ri bisedimesh, mes debateve për situatën në veriun e Kosovës dhe përpjekjeve evropiane për ripërtëritjen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve.
Prishtina fajëson Beogradin si përgjegjës për gjendjen në veri dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të dënojë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura siç është thënë “sjelljen dhe gjuhën agresive e armiqësore të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç ndaj Kosovës”.
Të premten, presidenti serb kërkoi rikthimin e gjendjes së mëparshme në veri të Kosovës, përfshirë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, formimin e drejtorisë rajonale të policisë dhe kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në vendet e tyre të punës.
Në Prishtinë kjo shihet si një kërkesë për zhbërjen e shumë veprimeve të nxitura nga vetë Beogradi.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se blloku “mirëpret thirrjet e presidentit serb Vuçiç që serbët e Kosovës, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”.
Policët, gjykatësit dhe prokurorët serbë dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 në shenjë proteste ndaj shkarkimit nga autoritetet në Prishtinë të një oficeri policie, pas refuzimit nga ana e tij të zbatimit të urdhrave që kishin të bënin me zëvendësimin e targave të makinave serbe, me ato të Kosovës.
Presidenti serb tha se “institucionet serbe” në Kosovë “nuk do të shfuqizohen apo mbyllen” dhe pranë kufirit me Kosovën do të hapen zyra ku serbët e veriut të Kosovës do të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale, duke akuzuar Prishtinën se me mbylljen e institucioneve paralele serbe ka lënë pa punë dhe përkujdesje mijëra pjesëtarë të komunitetit serb.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha sot se dorëheqja e punonjësve serbë ishte një bojkotim i organizuar duke theksuar se veprimet e autoriteteve të Kosovës në atë zonë ishin të domosdoshme për konsolidimin e kushtetushmërisë, shtetësisë dhe tërësisë tokësore të Kosovës.
“Pra strukturat paralele gradualisht janë hequr prej Kosovës, po vazhdojnë të hiqen edhe sot e kësaj dite kur po flasim mirëpo substanca e tyre do të thosha tashmë është hequr, kanë mbetur edhe disa të tjera mirëpo në vazhdimësi nuk kemi përse të ngutemi shumë, është në rrugë të mbarë ky proces”, tha ai.
Presidenti serb paralajmëroi gjithashtu themelimin e prokurorisë që posaçme që do të ndjekë siç tha “të gjithë ata që kryejnë përndjekjen e serbëve në Kosovë, përfshirë serbët që punojnë për shërbimin shqiptar”. Ai shtoi se parlamenti i Serbisë do t’i shpallë të paligjshme dhe të pavlefshme të gjitha aktet që janë miratuar nga Prishtina në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit.
“Mirëpo ky është një kërcënim i cili me thënë të drejtën nuk është se na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi sepse në atë pjesë janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë dhe është shans i humbur për qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procese politike dhe për të qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur vendi e ka marrë një drejtim të ri”, tha ai.
Kërkesat e Beogradit pasuan veprimet e qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele në veri të mbështetura nga Serbia, në fund të muajit gusht.
Vendimi nxiti kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të shqetësimeve se tensionet në Kosovë mund të çojnë në destabilitet më të gjerë në Ballkan. Diplomatët perëndimorë kërkojnë që që të gjitha çështjet që lidhen me veriun të trajtohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
Ka 13 vjet që Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj, që është edhe kusht për përparimin drejt anëtarësimit në bllok, ka ngecur.