Rritet numri i mjekëve në sistemin shëndetësor
Prej tvteuta15:41, 14 Tetor 2023
Në Mal të Zi, vitin e fundit, ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të mjekëve që bëjnë pjesë në sistemin e shëndetit publik, thotë Ministria e Shëndetësisë.
Ministria tha se ky departament qeveritar, i kryesuar nga ministri Dragoslav Scekic, vitet e fundit parandaloi një largim masiv të mjekëve për të punuar jashtë vendit dhe përmirësoi prirjen e kthimit të tyre në Mal të Zi.
“Të gjitha kapacitetet janë ndërtuar në mënyrë të vazhdueshme me qëllim që të përmirësojnë kushtet e punës dhe të jetesës së punonjësve tanë shëndetësorë dhe sistemi ynë shëndetësor publik është bërë tërheqës për mjekët, si nga vendi ynë ashtu edhe nga rajoni,” thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, si pasojë e këtyre ndryshimeve, është konstatuar një numër në rritje i mjekëve në sistemin e shëndetit publik.
“Këtë vit, sipas të dhënave të siguruara nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, kemi 1,969 mjekë që bëjnë pjesë në sistemin tonë shëndetësor publik”, thuhet në deklaratë.
“Kjo dëshmon në favor të menaxhimit të mirë dhe këshillimit adekuat të mjekëve me avantazhet e sektorit publik shëndetësor nën udhëheqjen e Ministrisë së Shëndetësisë,” thuhet më tej në deklaratë.
Ata thanë se mbi 50 milionë euro u investuan në sistemin e kujdesit shëndetësor vitin e kaluar.
Gjithashtu Ministria, ka nisur ndërtimin e disa klinikave të reja, janë rikonstruktuar dhe përshtatur të gjitha strukturat shëndetësore, janë hapur njësi të reja mjekësore emergjente në vende ku deri tani nuk ka pasur asnjë, dhe ato ekzistuese janë rikonstruktuar si edhe janë siguruar pajisjet mjekësore më moderne.
Sipas tyre, në këtë mënyrë sigurohen kushte cilësore pune për punonjësit shëndetësorë dhe për këtë arsye, është krijuar siguria mes qytetarëve se do të pajisen me kujdes shëndetësor në mënyrën më efikase dhe adekuate.
“Qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë është të rivendosë besimin në sistemin e shëndetit publik dhe ta përmirësojë atë. Si një institucion ombrellë, ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë gjithmonë në krah të punonjësve të kujdesit shëndetësor që me punën e tyre këmbëngulëse kontribuojnë në dobi të çdo pacienti,” përfundon deklarata.