Sonte hapja e manifestimit Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”
Prej tvteuta09:44, 4 Gusht 2023
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 4-6 gusht 2023 edicionin e 31-të të manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”, ku mysafirë do të jenë shkrimtarët Nazmi Rrahmani nga Kosova, Nurie Emrullai nga Maqedonia e Veriut dhe Primo Shllaku nga Shqipëria, të cilëve do t’u kushtohen mbrëmje autoriale.
Në rrugëtimin e saj 30-vjeçar, “Kalimera Poetike” ka kaluar nëpër faza të ndryshme, e ka ndryshuar konceptin fillestar dhe është shndërruar nga një manifestim masiv në një aktivitet elitar duke promovuar vlerat më të mira letrare. Ajo ka arritur të krijojë një traditë të mirë dhe ta ruajë cilësinë e saj, duke ftuar shkrimtarët që me shkrimin e tyre kanë lënë vërtet gjurmë në letërsi. E personifikuar me emrin e poetit dhe studiuesit të ndjerë Basri Çapriqi, edhe pas 30 vitesh ajo zhvillohet me po të njëjtin pasion të fillimit, duke u përpjekur të ruajë identitetin shqiptar në këto treva.
Kalimera Poetike “Basri Çapriqi” ka për qëllim promovimin e letërsisë shqipe dhe të letërsive që krijohen në vendet dhe gjuhët e tjera, por edhe njohjen e shkrimtarëve me njëri-tjetrin dhe krijimtarinë e tyre. Në të trajtohen edhe probleme të letërsisë, hidhen ide për bashkëpunime etj. Ajo konsiderohet ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe i ka dhënë impuls jetës kulturore në Ulqin, sidomos gjatë verës, dhe ia ka rritur namin Ulqinit në rrafshin kulturor gjithëkombëtar.
Edicioni i sivjetshëm do të zhvillohet në tri vende të ndryshme. Krahas sheshit në Muzeun në Kalanë e Ulqinit, ku do të zhvillohet ceremonia e hapjes së manifestimit dhe mbrëmja e parë autoriale, dy mbrëmjet tjera do të mbahen në Muzeun Etnografik – Draginë dhe Librarinë “Ulqini”, duke u përpjekur për të qenë sa më afër publikut.