Ambasadori Dr. Martin Berishaj, ligjëroi në Akademinë Ushtarake të Mbrojtjes së Kroacisë, me temën “Kosova dhe integrimet euroatlantike”
Prej tvteuta18:33, 6 Dhjetor 2022
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, Dr. Martin Berishaj, mbajti ligjeratë me temë “Kosova dhe integrimet euroatlantike”, në Akademinë Ushtarake të Mbrojtjes së Kroacisë, në Kolegjin e Luftës “Ban Jelačić” në Zagreb, me ftesë të drejtorit, Kolonel Mijo Kožić.
Ligjerata ishte si pjesë e studimeve për oficerët që vijojnë shkollimin përfundimtar për gradën gjeneral.
Në këtë ligjeratë, pjesëmarrës ishin oficerë të lartë kroat, malazias, maqedon, boshnjak, slloven, pjesëtarë nga Inspektorati i Policisë së Kroacisë, si dhe nga Kryqi i Kuq.
Në ligjeratën e tij, ambasadori Dr. Berishaj u ndal në proceset e rrugëtimit dhe përpjekjeve diplomatike që Kosova po bënë në arenën ndërkombëtare, duke shpalosur fizionominë politike të saj.
Ligjerata zgjoi interesim të madh te pjesëmarrësit, me të cilët u zhvillua bashkëbisedim lidhur me proceset politike në rajon dhe më gjerë.
Ambasadori Berishaj i takoi edhe kadetët tanë nga Kosova që studiojnë në Akademinë Ushtarake të Mbrojtjes në Kroaci.
Pas ligjeratës, për punën dhe veprimtarinë e tij, ambasadorit Dr. Berishaj iu nda mirënjohje nga Kolegji i Luftës “Ban Jelačić”.