Aktuale Më shumë

Ambasadori Ridi Kurtezi i uron bashkëkombasit për 28 nëntorin

Prej tvteuta17:46, 28 Nëntor 2022

Te dashur bashkekombas,
Motra dhe Vellezer

28 Nentori i vitit 1912 është data më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, data kur të gjithë ne shqiptarët festojmë me krenari shpalljen e pavarësise, e cila nuk erdhi si dhuratë, por vetëm përmes luftërash, mundimesh dhe sakrificash shekullore.
28 Nëntori i vitit 1912 konsiderohet gjithashtu edhe si dita e flamurit në ndërgjegjen historike të shqiptarëve. Sepse pikërisht, në 28 nëntor te vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, ai, që mirënjohja  e popullit shqiptar e nderon si Heroin Kombëtar, ngriti në Krujë flamurin e Kastriotëve.
Si një fat historik, nëntori është muaji që lidh edhe nje ngjarje tjeter të rëndësishme për ne shqiptarët – festën e çlirimit të vendit nga nazifashizmi. Në altarin e Dëshmorëve të Kombit, prehen 28 000 dëshmorë të Atdheut. Shqipëria bëri një rezistencë të armatosur, ndaj pushtuesve nazi-fashistë, duke u rradhitur krenarisht krah për krah me fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore.

Të dashur Miq,

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë e Malit të Zi janë marrëdhënie shumë të mira të fqinjësisë dhe bashkëpunimit, të cilat, nuk druhem aspak të përsëris, janë një shembull shumë i mirë i fqinjësisë së mirë në rajon. Mund të duket klishe, por në një rajon dhe mjedis që më shumë ka ofruar dhe është njohur për problemet e tij, mendoj se bëjmë mirë të evidentojmë dhe vëmë në dukje atë që është pozitive dhe shërben si një shembull i mirë.

Kjo tendencë pozitive është rezultat i një vullneti politik të dyanshëm, që sheh tek fqinji partnerin, kontribuesin në arritjen e qëllimit të përbashkët për stabilitet dhe përparim, zhvillim e mirëqenie. Zgjedhja pa dilemë, për të qenë pjesë e botës dhe vlerave evropiane dhe perëndimore, e lehtëson dhe e nxit bashkëpunimin dypalësh. E orienton në qëllim dhe e pasuron në mjete dhe mënyra.

Viti i ardhshëm do të jetë i rëndësishëm pasi planifikojmë të mbajmë mbledhjen tjetër të përbashkët midis të dy Qeverive këtu në Podgoricë. Do të jetë gjithashtu nje vit i rëndësishëm pasi do të fillojmë zbatimin e Projektit të Urës së Bunës që do të afrojë Shkodrën dhe Ulqinin dhe do ta kthejë lumin Buna në të lundrueshëm.

Me lejoni të theksoj ketu se një element shumë i rëndësishëm dhe një vlerë e shtuar në ecurinë e këtyre marrëdhënieve janë bashkëkombasit tanë, të cilët në vazhdimësi kanë qenë një urë lidhëse e miqësise së dy vendeve.

Ndihem krenar që shqiptarët kanë kontribuar në të ardhmen dhe zhvillimin Malit të Zi, në pavarësimin, konsolidimin, propseritetin dhe proceset integruese në NATO dhe BE dhe që ata vazhdojnë të kontribuojnë në qeverisjen e vendit, duke treguar përgjegjëshmëri dhe konstruktivitet politik.
Në fund të fjalës timë dëshiroj tju uroj gezuar te gjithe juve Festen e Pavaresise dhe Diten e Flamurit.

Zoti e bekofte Shqiperine dhe shqiptaret!

Ridi Kurtezi

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio