Opinion Më shumë

H.Hajdari: Shpalosje politike (4)

Prej tvteuta16:32, 17 Nëntor 2022

Shpalosje politike (4)

 

  • Memorandumi i Forumit Demokratik mbi Statusin Special të Shqiptarëve në Mal të Zi, document politik i mbetur në letër!

Edhe pse Memorandumi është dokument që doli nga një shoqatë e  palegjitimuar si përfaqësuese e popullit shqiptar në Mal të Zi, fakti se atë e aprovoi si dokument të vetin e vetmja parti politike e shqiptarëve atëherë – LDnë MZ, si    zëdhënëse legjitime e vullnetit politik të popullit shqiptar, i jep Memorandumit atributin e vullnetit të popullit. Përkundër vullnetit të popullit, pushteti i Malit të Zi, edhe pse në kuadër të Konferencës së Carrington-it u njoh me përmbajtjen e tij ( por jo edhe në Kuvendin e Malit të Zi), asnjëherë nuk e shqyrtoi këtë dokument, madje kërkesat e parashtruara në Memorandum nuk u morën parasysh me rastin e përpilimit dhe aprovimit të Kushtetutës së Malit të Zi më 12 tetor 1992. Me këtë kushtetutë, jo vetëm që nuk u morën parasysh kërkesat dhe specifikat kombëtare të shqiptarëve por nga rendi juridik u hoq kategoria “komb” dhe “kombësi” dhe u zëvëndësuan me “grupe nacionale dhe etnike” me çka kanë dashur të thonë se të gjitha grupet janë të barabarta pa marrë parasysh numrin dhe specifikat e grupeve nacionale. Natyrisht kjo zgjidhje kushtetuesi më së shumti dhe drejtpërdrejt ka prekur intersat e shqiptarëve si e vetmja pakicë ose grup nacional josllav në Mal të Zi.

Kërkesat e shqiptarëve të parashtruara në Memorandum janë të qarta dhe konsistojnë me Deklaratën politike të Këshillit Koordinues të partive politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në hapësirën e ish-Jugosllavisë e njohur edhe si “Deklarata e tri opsioneve”, dhe paraqiste një bazë të mirë për rregullimin e statusit politiko-juridik të shqiptarëve në Mal të Zi. Nënshkruese e kësaj Deklarate ishte edhe LDnëMZ. Në emër të LDMZ-së Deklaraten e nënshkroi nënkryetari i saj z.Lekë Lulgjuraj.

Është shumë e qartë se realizimi i synimeve të rcaktuara me Memorandum do të ishte proces i vështirë politik,  aq më parë kur dihet se deri në vitin 2005 kemi kalua në periudha të gjendjeve të luftës dhe gjendjeve të jashtëzakonshme, pra në kushte të raporteve të  tensionuara në mes të qeverive të Malit të Zi, Serbisë dhe Kosovës, duke përjetuar kështu format më perfide të diskriminimit. E gjithë kjo nuk mund të jetë arsye e askujt dhe asnjë subjekti politik shqiptar për mosjetësimin e kërkesave të parashtruara në Memorandumin e vitit 1992. Në të njëjtat raporte të tensionuara, mbase edhe më të rënda, kanë kaluar edhe shqiptarët në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës të cilët në përputhje me dispozitat e Deklaratës së Prishtinës të 11 tetorit 1991, orginizuan referendumin për statusin e shqiptarëve në Maqedoni, respektivisht në Serbi. Shqiptarët në Mal të Zi sikurse u kënaqen me aktin në letër-Memorandumin. Por, sikur të vazhdohej me kërkesat, sikurse ky akt politik t’i dorëzohej zyrtarisht Qeverisë dhe Kuvendit të Malit të Zi, ka gjasa që çështja e shqiptarëve në Mal të Zi do të kishte shkuar më e theksuar në veshin e ndërkombëtarëve, pa përkrahjen e të cilëve nuk kemi dhe as që do të realizojmë më shumë se ç’kemi sot!

Gjithësesi Memorandumi për statusin special të Shqiptarëve në Mal të Zi është i një rëndësie të veçantë politike. Dr.Ibrahim Rugova, kryetar i Këshillit Koordinues të partive politike shqiptare dhe njëkohësisht president i Kosovës, Memorandumin e krahason dhe i jep fuqin e referendumeve të organizuara në hapsirat tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Ai, në një intervistë të dhënë për Agjencin Telegrafike Shqiptare më 22 shtator 1994, e botuar si kryeartikull në gazetën e rezistencës “Bujku” më 26 shtator 1994, ndër të tjera kishte deklaruar: “Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opsioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi”.

Nga sa vërejtëm më lart Memorandumi mbi statusin special të shqiptarëve në Mal të Zi është një veprim politik i Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi. Duke u bazuar në rrethanat politike të kohës, sipas mendimit tim, ky memorandum është dashur të emertohet si Memorandum i shqiptarëve e jo i Forumit Demokratik, sepse definimi i statusit të shqiptarëve në Mal të Zi është çështje kombëtare e nuk mund të jetë pronë e asnjë individi, shaqate apo partie politike. Gjithmonë duhet dalluar veprimin politik nga ai juridik. Veprimi politik është synim, ndërsa veprimi juridik ose ligjor është rrugë që hap pas hapi të arrihet të qëllimi përfundimtar politik që e përcaktojnë partitë politike. Shoqatat apo asociacionet e ndryshme, sidomos në kohën kur u miratua Memorandumi, vështirë se veprimin politik mund t’a sndërrojnin në veprim juridik.

Kjo është e rëndësishme të potencohet për faktin se edhe sot e kësaj dite shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë as Memorandum e as Platformë politike të përbashkët për definimin e çështjes së tyre në kuadër të shtetit të Malit të Zi. Është e rëndësishme të potencohet edhe për faktin se shumë shpejt pas miratimit të Mermorandumit filluan përçarjet e para në partinë e parë politike shqiptare, që do të rezultojë shumë shpejt me themelimin e partisë së dytë shqiptare e rrjedhimisht edhe dhjetra partive të tjera! Sidoqoftë, Memorandumi i Forumit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi  nuk arrijti në qëllimin përfundimtar politik e rrjedhimisht nuk u shndërrua në akt juridik!  Nga ky konstatim del domosdoshmëria e konformimit  të Memorandumit të vitit 1992, me Platformën politike të shqiptarëve (që nuk ekziston), me të cilën do të përcaktohej rruga dhe hapat e realizimit të saj.

 

  • Angazhimi i LDnëMZ-së për definimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi para Memorandumit

Lidhjen Demokratike në Mal të Zi e obligonte Statuti dhe programi i saj, të aprovuara në diten e themelimit më 9 shtator 1990, që të merrej  me çështjen e pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi, me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre qytetare e kombëtare. Ky obligim u legjitimua edhe më shumë pas votimit plebishitar të shqiptarëve në zgjedhjet e para pluraliste. Këtu po përmendi vetëm disa nga veprimet e këtij subjekti politik para se të miratohej Memorandumi në fjalë.

Pas organizimit të shkëlqyer të zgjedhjeve të para dhe fitorës së thellë, me 18 mars 1991, LDnë MZ iu drejtua me shkresë qeverisë së Malit të Zi për lejimin e ngritjes së flamurit shqiptar në përkujtim të Kryengritjes së Malësisë së Madhe (1911). Ndonëse ngjarja ishte një shembull i bashkëpunimit malazezo-shqiptar, qeveria me një shkresë të datës 25 prill 1991, hodhi poshtë kërkesën e shqiptarëve, ku pohohej se në Mal të Zi mund të valëviteshin vetëm flamujt e Malit të Zi. Ishte ky paralajmërim se rruga drejt realizimit të të drejtave të shqiptarëve do të jetë e vështirë dhe e gjatë.

Në mars të vitit 1992, LDnëMZ  miratoi një rezolutë prej pesë faqesh, ku shpaloseshin qëndrimet rreth sistemit politik, qeverisjes vendore, zhvillimit ekonomik dhe arsimit në Mal të Zi. Rezoluta parashikonte që Mali i Zi duhet të ndërtohet si shtet i qytetarëve të lirë e të barabartë e jo si shtet kombëtar malazez.Në fakt, Rezoluta përfshinte zgjidhje në të gjitha segmentet e jetës shoqërore-politike dhe ekonomike, të cilët disa muaj më vonë do të përfshihen në Memorandumin e Frontit Demokratik. Natyrisht, kjo kërkesë nuk u aprovua nga strukturat shtetërore të Malit të Zi dhe për këtë arsye LDnë MZ vendosmërisht e kundërshtoi miratimin e Kushtetutës të Malit të Zi të datës 12 tetor 1992.LDnë MZ, së bashku me Partinë e Akcionit Demokratik ( myslimanet e Malit të Zi) bojkotuan edhe zgjedhjet federative të mbajtura më 9 maj 1992. Të gjitha këto qëndrime të LDnëMZ-së, kryetari i saj Mehmet Bardhi, i kishte shprehur në një letër dërguar Konferencës së Carrington-it. Bardhi kishte pohuar se 90% të votuesve shqiptarë i kishin bojkotuar kutitë e votimit duke theksuar se “bashkimi i Malit të Zi me Serbinë na trishton ne, sepse shqiptarët e Kosovës janë masakruar, vrarë e persekutuar nën pushtimin serb…”. Arsyet e dhëna për bojkotimin e zgjedhjeve federative ishin lufta e egër në “vendin vëlla të myslimanëve të Ballkanit  (BeH), gjendja e rënduar në Kosovë  dhe statusi i pazgjidhur i myslimanëve dhe shqiptarëve në Mal të Zi.

 

  • Vazhdon –

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio