Opinion: Politikat e jashtme ruse, Nga frustrimi në agresion : Rasti i Sirisë dhe Ukrainës
Prej tvteuta11:31, 3 Mars 2022
Përse rasti konkret që po ndodhë në Ukrainë po merr kaq vëmendje nga mediumet? A nuk ka lufta apo tragjedira në botë që po ndodhin njëkohësisht? Kush është fajtor apo kush merr pjesën më të madhe të fajit? Me një krahasim të dy problemeve konkrete që bota po ballafaqohet gjatë 10 viteve të fundit do të shohim se ku në të vërtetë qëndron problemi dhe se cilat janë qëllimet e përgjithshme. Fillojmë me rastin në Siri.
OKB-ja është shumë e kufizuar kur bëhet fjalë për kriza të dhunshme si ajo e Sirisë. Vlen të thuhet se jo shumë përpara krizës siriane, të njëjtat ndërhyrje që ishin të nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit ose të paktën për ta normalizuar atë, u bënë në Liban, por në Siri dështuan. Pse është kështu? Për ta kuptuar ne duhet të dimë disa fakte kyçe për Rusinë, Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe gjithashtu Kinën si aleate të rusëve. Fillimisht ku ishte problemi? Problemi ishte se Kombet e Bashkuara kodifikuan një dokument të quajtur Përgjegjësia për të Mbrojtur dhe në vitin 2006 kufizuan shkaqet e pranuara të ndërhyrjes në katër koncepte shumë të diskutueshme: ‘gjenocid, krime lufte, spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit. Kjo do të thoshte se për sa kohë që Rusia do të qëndronte në krah të Asadit në OKB, i vetmi mjet për aktorët e jashtëm për të ndërhyrë në konflikt do të ishte fshehurazi ose nëse ata do të ishin të gatshëm të shkelnin ligjin ndërkombëtar. Por a kishte Rusia një aleat në të gjitha vendimet e saj? Sigurisht, Rusia nuk ishte e vetmja në këtë. Kina përdori gjithashtu veton kundër ndryshimit të regjimit në Siri dhe rënies së Asadit? Mund të argumentojmë se Kina dhe Rusia i morën këto vendime për të ngadalësuar ndikimin perëndimor në Lindjen e Mesme. Kina nuk pati një konflikt të armatosur të drejtpërdrejtë me SHBA-në, por në vend të kësaj ata kanë një ekuilibër të “soft power”. Kina e ka arritur këtë kryesisht përmes koordinimit strategjik dhe bashkëpunimit diplomatik me Rusinë në KS të OKB-së. Të dy kombet janë partnerë strategjikë dhe është e natyrshme që ata të shkëmbejnë pikëpamje dhe të koordinojnë veprimet e tyre për çështjet kryesore ndërkombëtare në KS të OKB-së. Pekini, së bashku me Moskën, ka kundërshtuar të gjitha përpjekjet e KS të OKB-së, nga censurimi deri te sanksionet serioze ose ndërhyrja ushtarake kundër regjimit të Bashar al-Asad. Së pari, në tetor 2011, Rusia dhe Kina vendosën veton ndaj një rezolute të sanksioneve të hartuar nga Evropa që dënonte Sirinë. Së dyti, në shkurt 2012, Moska dhe Pekini vendosën veton ndaj një rezolute të KS të OKB-së që kërkonte që al-Assad të largohej. Për më tepër, atë muaj Kina dhe Rusia votuan kundër një projekt-rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënonte regjimin sirian. Së treti, në mars 2012, të dy vendet votuan kundër një projekt-rezolute të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që dënonte krimet e regjimit sirian. Për më tepër, në korrik 2012, Moska dhe Pekini vendosën veton ndaj një projekt-rezolute britanike që do të kishte ndëshkuar regjimin e al-Asad me sanksione ekonomike.
E njëjta situat po ndodhë në Ukrainë në disa aspekte. Putini ka humbur luftën me perëndimin në shumë mënyra. Ai u përpoq që me nacionalizma dhe ideja joshëse të fitojë përkrahjen e vendeve ish-sovjetike, mirëpo ndodhi e kundërta. Shtetet ish-sovjetike më shumë e më shumë u larguan nga kthetrat e Putinit dhe dëshironin jetën perëndimore, sistemin demokratik dhe liberal. Këtë presidenti rus Putin e morri si një dështim jo vetëm ushtarak por edhe dështim i promovimit të modelit të tij të udhëheqjes, dështim nga secila anë ndaj armikut të tyre të përbetuar SHBA-të.
Zgjerimet e NATO-s si dhe suksesi i botës perëndimore ndikuan që Rusija të ndjehej e kërcenuar duke humbur edhe aleatët e saja të dikurshme dhe shtetet më të afërta historikisht me Rusinë. Putini nuk mund të lejojë që një gjë e tillë të vazhdojë mbasi po humbiste betejë mbas beteje në fushën ndërkombëtare.
Pra frustracioni Rus nga humbjet e një pas njëshme në skenën ndërkombëtare dhe fuqizimit të ndikimit pro-perendimorë ka ndikuar që sot frustracioni rus të shëndrrohet në agresion dhe të rrazikojë skenën ndërkombëtare. Me fjalë tjera modeli liberal demokrat ka fituar në skenën ndërkomëtare si dhe vetëdija e individit kërkon të drejta të barabarta, siguri ekonomike si dhe paqe në botë. Kjo humbje e Rusisë u manifestua me një përpjekje të dëshpëruar për rikthimin e Ukrainës nën ndikimin rus dhe me shumë gjasa nga rusët dojnë ta shfrytzojnë si shembull se si do reagojnë në të ardhmen për raste të tilla.
Besart Hoxha