Prej tvteuta13:32, 31 Gusht 2024
Në vazhdën e reagimeve pas mbylljes së zyrave paralele serbe në veri të Kosovës, është edhe Bashkimi Europian. Zëdhënësi i BE, Peter Stano, duke shpërndarë reagimin e djeshëm të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se hapat e fundit nga Kosova rrezikojnë përshkallëzim të mëtejshëm.
“Deklarata për hapat e fundit të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri nga autoritetet e Prishtinës, duke rrezikuar përshkallëzim të mëtejshëm”, shkroi Stano në X krahas deklaratës.
Ndërkohë në reagimin e zyrës së BE në Kosovë, thuhej unioni është i zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë. Më tej theksohej në deklaratë se operacioni ndaj zyrave paralele serbe rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren.
“BE dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar për depërshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës. BE-ja dëshiron të përsërisë se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme.”, thuhet më tej në deklaratë, teksa bëhet thirrje për adresimin e këtyre çështjeve në tryezën e dialogut.
Kosova aktualisht është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian për tensionet e vitit të kaluar në veri të vendit. Derisa pritej që BE të heqë masat pas qetësimit të situatës në veri, paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit erdhën bashkë me paralajmërimet e BE-së se masat edhe mund të rriten.