1 Maji – një ditë rezistence, jo pushimi
Prej tvteuta11:18, 30 Prill 2024
Në vend të shëtitjes tradicionale, Unioni i Sindikatave të Lira do ta shënojë sivjet 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punës me një demonstratë dy orëshe nën sloganin “Ditë e rezistencës, jo pushimi” në Sheshin e Pavarësisë.
Me këtë do të nisë zyrtarisht fushata për reformën e politikës së strehimit dhe mbrojtjen e subjekteve ekonomike me interes kombëtar.
Edhe punonjësit në vendin tonë e presin këtë 1 maj në kushte jo dinjitoze. Problemet kryesore janë ende puna e paligjshme, orët jashtë orarit të papaguar dhe pasiguria e kontratës së punës.
Ivana Mihajloviq nga Unioni i Sindikatave të Lira theksoi se nuk është për t’u habitur që në sektorin privat po shohim rritje të kontratave të papranueshme.
“Vetëm në administratën shtetërore, ku shteti shfaqet si punëdhënësi më i madh, kemi një numër të lartë njerëzish që merren në forma të pasigurta të punës, qoftë kontratë pune apo për punë të përkohshme dhe të rastit, si punëdhënësi më i madh i dërgon një mesazh të tillë sektorit privat, atëherë dhe nuk është çudi që në sektorin privat po shohim rritje të kontratave të tilla të papranueshme”, theksoi ajo.
Prandaj, Sindikata i bën thirrje Qeverisë, si dhe autoriteteve lokale dhe të gjithë punëdhënësit që të tregojnë përkushtimin e tyre të plotë për zbatimin efektiv të të drejtave të punës dhe të drejtave sociale.
Unioni do të japë kontributin e tij për këtë qëllim më 1 maj me një demonstratë dy orëshe ku do të promovojë rezolutat për politikën e strehimit dhe mbrojtjen e subjekteve ekonomike me interes kombëtar.
Sekretari i Përgjithshëm i Unionit të Sindikatave të Lira, Srgja Kekoviq, tha se me këtë demonstratë në të vërtetë dëshirojnë t’i afrohen qytetarëve dhe publikut të gjerë të Malit të Zi dhe t’i bëjnë këto rezoluta sa më të dukshme në mënyrë që të marrin një shtysë shtesë dhe mbështetje për zbatimin e tyre.
Aktiviteti do të fillojë të mërkurën në orën 10 në Sheshin e Pavarësisë në Podgoricë dhe 500 qytetarët e parë do të marrin dhurata të veçanta.