Rajoni/Bota

Rajoni/Bota Më shumë

Lajçak: Marrëveshja përfundimtare i takon Kosovës dhe Serbisë

Prej tvteuta24 October 2022

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të shtunën se u takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin se si do të duket marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa nënvizoi se është shumë e rëndësishme që të mos ketë tensione, me afrimin e 31 tetorit që është afati i përcaktuar nga qeveria qendrore në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia në ato të Kosovës. Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, më të cilin tha se ka diskutuar edhe për nismën franko-gjermane për marrëveshjen Kosovë- Serbi, por pa dhënë hollësi. Lajçak tha se nuk ka parë asnjë dokument për statutin e Asociacionit për komunat serbe të publikuar ditë më parë në mediat lokale në Kosovë, duke pretenduar se është hartuar nga ekspertë gjermanë dhe i referohet marrëveshjes së vitit 2013 të arritur në bisedimet Kosovë – Serbi në Bruksel. Diplomati tha se po provon të jap zgjidhje për çështjen e targave të makinave që do të shmangte çdo mundësi të tensionimit të situatës. “shqetësimet tona janë që të mos ketë tensione dhe dhunë në terren kjo është me rëndësi sepse mendoj se nuk është në interes të Kosovës posaçërisht në këtë kohë të rëndësishme ku procese shumë të rëndësishme po zhvillohen, diskutimet për liberalizimin e vizave, diskutimet për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kështu që gjëja e fundit që Kosova ka nevojë do të ishte dhuna këtu në terren”, tha ai. Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.