Rajoni/Bota Më shumë

Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Prej tvteuta17:23, 16 Janar 2022

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Rezoluta u propozua nga katër grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit Multientik. Partia Demokratike në opozitë nuk mori pjesë në seancë.

Rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

Pas miratimit të kësaj rezolute ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se përshëndet konsensusin mes grupeve parlamentare për votimin e klsaj rezolute.

Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.

Kundërshtime lidhur me këtë qëndrim pati nga shtetet e QUINT-it.

Në hapje të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se nuk është kundër të drejtës së votës së qytetarëve serbë kosovarë me dy shtetësi duke thënë se votimi mund të bëhet në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Ai në anën tjetër ka kundërshtuar idenë që Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

“Një praktikë e gabuar e vendosur nëpër vite nuk e arsyeton vazhdimin e gabimit të njëjtë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të trajtohet si e tillë”, tha Kurti.

  • 1

    Radio