Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Dr Ilir Çapuni uron besimtarët ortodoks
Prej tvteuta20:49, 6 Janar 2019
Prej kur përmes zhytjeve nëpër arkiva dhe nën ujë e kemi nxjerrur nga harresa Varrezën e Kaltërt në Shëngjin të Shqipërisë, çdo ditë të Buzmit në ora 8.30 në mëngjes, i përulem dëshirës së madhe të cilën e kishin mërgimtarët nga Amerika Veriore, që të kthehen me anije në votrën e vet dhe të luftojnë për të. Në anije gjendej edhe misioni i Kryqit të Kuq të SHBA-së si mbështetje medicinale të këtij regjimenti ushtarak të pafat. Të mos harrojmë edhe pjestaren e këtij misioni Stephanie Hampl nga Bronx-i e cila nuk i shpëtoi kësaj fatkeqësie.
Që kur jam në krye të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, në tavolinën time gjendet maketa e vaporit “Brindisi”, dhuratë nga kapidani Nikolla Stanojeviq nga Kotorri. Kjo maketë nuk është trofe personale për këtë zbulim, por përkujtim në faktin se edhe unë, 100 vite më vonë, iu ktheva votrës sime me të njëjtin rrugëtim. Për këtë, çdo ditë e më shumë e përjetoj thellë kujtimin e tragjedisë së Shëngjinit si dhe të mbijetuarve të kësaj tragjedie të cilët pa shpresë janë endur nëpër brigjet e tokës së huaj duke ndezur zjarre për t’u tharë e ngrohur në atë ditë të Buzmit të 1916.
Për fund, më e rëndësishmja: bashkëqytetarëve të mi dhe miqve të besimit ortodoks, ju uroj që të ndezin buzmin me gëzim dhe paqe në shtëpitë e veta, dhe që Perëndia t’ju dhurojë të gjitha të mirat në këto ditë të madhërueshme.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Ulqinit
Dr Ilir Çapuni