Kryeministri Markoviq përuroi përfundimet e punimeve në rrugën Ulqin-Krythë
Prej tvteuta16:07, 15 Korrik 2019
Sot në Ulqin qëndroi për vizitë kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, i cili me këtë rast bëri edhe përurimin e përfundimeve të punimeve në rrugën Ulqin-Krythë. Markoviq në Urën e re të Klleznës, u prit nga kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq me bashkëpuntorë, ministri për të drejtat e popujve pakicë Mehmet Zenka, përfaqësues të partive politike dhe banorë të zonës. Kryeministri vlerësoi lart punimet e kryera në këtë segment rrugor i cili ka një rëndësi të madhe për popullatën e kësaj zone por edhe gjithë Komunën e Ulqinit, pasi krijon një lidhje më të mirë me Shqipërinë. Ai shtoi se Qeveria është duke punuar me përkushtim që të investojë në infrastrukturën e vendit, në mënyrë që zhvillimi i Malit të Zi të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kryetari Nrekiq, në fjalën e tij falenderoi Qeverinë për përkrahjen dhe shprehu besimin se kjo do të vazhdojë edhe me projekte të tjera me rëndësi për Komunën e Ulqinit.